Kolegji Zgjedhor shtyn gjykimin për ankimimin e PS më 3 QERSHOR, ja arsyet
(E PERDITESUAR) – Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shtyjë gjykimin për padinë e opozitës për aktin normativ të KQZ-së, që u hapi rrugën numërimit të fletëve të gabuara. Shkak u bë fakti se PS kishte depozituar dy padi, një për vendimin e datës 18 maj, kur KQZ miratoi në parim aktin, e një për datën 23 maj, kur KQZ miratoi në mënyrë përfundimtare aktin. KQZ kërkoi që të bashkoheshin të dy paditë, por Kolegji tha se nuk mund të bëjë një gjë të tillë për shkaqe procedurale. Atëherë PS deklaroi se tërhiqej nga padia e parë, ajo e 18 majit dhe i qëndron vetëm padisë së dytë. Juristi i PS deklaroi se po tërhiqej pasi padia e dytë, ajo për vendimin e 23 majit, është më e plotë.
Pak më vonë Kolegji hodhi shortin dhe vendosi që të gjykojë më 3 qershor në orën 10:00 padinë e PS. Relator i çështjes është gjyqtari Tom Ndreca.