E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor sot thotë fjalën e fundit për rezultatin e Tiranës

03-06-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha u shpall fitues i bashkisë së Tiranës nga KQZ-ja

Kolegji Zgjedhor, i ngritur posaçërisht për shqyrtimet e ankimimeve post-zgjedhore, do të trajtojë sot vlefshmërinë e rezultatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka shpallur zyrtarisht fitues kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha.
Sot, Kolegji merr në shqyrtim pikërisht kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kërkon shpalljen të paligjshme të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës. Ankimimi, që ka për relator gjyqtarin Tom Ndreca, kërkon pavlefshmërinë e aktit të miratuar me shumicë votash nga KQZ për numërimin e fletëvotimeve të rregullta për kryetar të bashkisë Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara. Po ashtu ky ankimim ka si qëllim që Kolegji Zgjedhor të shpallë si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.
Një javë më parë më 27 maj, Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e PS-së për bashkimin në një, të këtyre objekt-padive, duke argumentuar se ky subjekt zgjedhor nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara në kërkesën e saj për të shtuar objekt padinë. Për këtë arsye, Partia Socialiste hoqi dorë nga gjykimi i padisë vetëm për pavlefshmërinë e aktit për numërimin e fletëve të rregullta të votimit, të hedhura në kutitë e gabuara, për kryetar të bashkisë Tiranë. PS paraqiti një padi më të plotë në Kolegjin Zgjedhor, në të cilën përfshihet edhe kërkesa për pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi një javë më parë kërkesën e Partisë Socialiste për vonesën e shpalljes së rezultatit të njësisë numër 5 në Tiranë. Ky vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor, i kryesuar nga gjyqtari Petraq Dhimitri, për padinë e bërë nga PS ndaj KQZ që të shpall vendimin për tabelën përmbledhëse të KZAZ-së nr. 49 në Tiranë.
Sikundër ndodh pas çdo veprimi ligjor të institucioneve ligjore, PS kundërshtoi vendimin, madje preku ekstremin duke akuzuar Kolegjin Zgjedhor se është i varur politikisht. Ky standard politik me një mungesë të theksuar kulture demokratike tregon se Partia Socialiste me shumë gjasa s’do njohë as vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili do shprehet posaçërisht sot, duke legjitimuar kështu fituesin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›