E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS, rrëzon rinumërimin e KQZ për qarkun e Lezhës

TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka pranuar sot kërkesën e PS për të rrëzuar rinumërimin e votave nga KQZ-ja për Qarkun e Lezhës. Kolegji Zgjedhor është shprehur se rinumërimi për këtë qark është i paligjshëm.

Pranimi i kësaj kërkese e shndërron në nul të gjithë procesin e rinumërimit për Qarkun e Lezhës, duke mos lejuar që të ndryshojnë tabelat përmbledhëse për Lezhën.

Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së, Koli Bele menjëherë pas vendimit ka komentuar për mediat se Kolegji ka lexuar ligjin drejt, duke pranuar kërkesën e PS.

“E rëndësishme është që kolegji e lexoi ligjin ashtu sic është shkruajtur, konstatoi që veprimtaria e KQZ për rinumërimin ka qënë haptaz në kundërshtim me ligjin. KQZ e ka future këtë proces në një qorrsokak që fatmirësisht Kolegji e zgjidhi”, tha zoti Bele.

Bele shtoi më tej se ky vendim vlen edhe për Qarkun e Shkodrës, por u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së Oert Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit vendimi i sotëm i kolegjit minon procesin ankimor dhe iu heq të drejtën edhe partive të tjera për të ankimuar.

Ai shtoi se në Lezhë u faktua që PS-ja ka vjedhur votat dhe se PD po përgatit një kërkesë të re ankimore.

“Vjedhje e hapur e 1200 votave është bërë nga PS në Qarkun Lezhë, i ka vjedhur një mandat PD. Por nuk mbyllet këtu, duke anuluar shkallën ankimore, praktikisht kjo ankesë do vijë në një formë tjetër”, tha ai. 

Sipas tij, ky vendim hedh një hije të rëndë mbi këtë proces.

KOLEGJI ZGJEDHOR NIS SHQYRTIMIN E KERKESES SE PS
Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e kërkesës së PS-së, e cila kërkon shpalljen e pavlefshme të rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës.

Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së, Koli Bele e cilësoi vendimin e KQZ të paligjshëm pasi nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të rihapur dhe rinumëruar kutitë në qarkun e Lezhës.

“Vendimi duhet me shumicë të cilësuar, pra me 5 anëtarë. Vendimi është i pavlefshëm, pasi është marrë me 4 anëtarë”, tha Bele. 

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së PS, me pretendimin se PS i dorëhoqi anëtarët e saj nga KQZ, pasi kishte si qëllim bllokimin e procesit zgjedhor. Kaso akuzoi PS se “vodhi dhe grabiti votat” në Lezhë.

Në orët e vona të ditës së diel KQZ ka mbyllur rinumërimin e votave për Qarkun e Lezhës. Pas numërimit të votave të 248 kutive të këtij qarku u vërejtën parregullsi të vogla, por pa ndikim në ndarjen e mandateve, i cili ishte i njëjtë me procesin e numërimit, PD me 4 deputetë, PS me 2 deputetë dhe LSI 1 deputet.

Përfundimi i rinumërimit të votave u pasua me debat nga përfaqësuesit e dy partive. Përfaqësuesit e partisë Socialiste kërkuan kohë për verifikimin e tabelave të rezultateve dhe miratimin e tyre ditën e nesërme, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklaruan se kjo kërkesë ishte e pavend dhe KQZ miratoi me 4 vota tabelat e rezultateve për Qarkun e Lezhës.
(ma.ar/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›