E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji e KQZ-ja mbajnë “peng” reformën zgjedhore

Data sot është 8 maj, ndërsa Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, ende nuk kanë rënë dakord për disa pika të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

“Pikat” ndarëse midis PD-së dhe PS-së, janë KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, ku opozita kërkon që kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë të jetë shkalla e fundit ku do të gjykohet çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, ndërsa demokratët kërkojnë sistemin aktual, ku Kolegji Zgjedhor është brenda Gjykatës së Apelit i përbërë nga disa gjyqtarë të përzgjedhur.

Teksa palët vazhdojnë të mos bien dakord në këtë çështje, gjatë kësaj jave pritet të mbërrijnë në Tiranë një grup ekspertësh nga ODIHR-i, të cilët pritet të bëjnë propozimet e tyre për t’i dhënë udhë ndryshimeve përfundimtare dhe për ta përmbyllur në kohë reformën.

Në propozimet e ODIHR-it kërkohet që ankimimet të mos bëhen më në KQZ, por direkt në Kolegjin Zgjedhor. Partitë e mëdha politike në vend duket se dëshirojnë skemën aktuale, ku fillimisht ankesat të bëhen në KQZ dhe më pas të shkojnë në një shkallë më sipër.

Një pikë tjetër është edhe përbërja e KQZ-së, ku të majtët kërkojnë që anëtari i shtatë të propozohet nga Presidenti ose nga një institucion i pavarur. Është ky anëtar që bën diferencën në këtë institucion dhe demokratët kërkojnë që të mbetet e njëjta formë. Me ndryshimet e reja pritet të miratohet edhe një nen për kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shkak se anëtarëve aktual iu mbaron mandati në dhjetor të këtij viti. /Start/

                                                                                             2012-05-08 08:56
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›