Presidenti, Nano pritet të takojë sot, Mediun
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se kreu i maxhorancës, para se të nxjerrë një kandidaturë për postin e Presidentit, ai duhet të konsultohet me të gjithë aleatët e së djathtës.
Kreu i PR-së ka konfirmuar se është për një President që vjen si rezultat i konsultimeve mes të gjitha forcave, por pa devijuar nga hapësirat që parashikohen me Kushtetutë.
Është e domosdoshme që maxhoranca të ulet e të diskutojë për emrat dhe figurat që ajo do të propozojë. Ajo që është e rëndësishme, është që ne të arrijmë në një zgjedhje të qenësishme, që qytetari i parë i vendit të jetë garant i Kushtetutës, shprehet Mediu.
Ndërkaq, kreu republikan konfirmoi se emri i pasuesit të Bamir Topit është një çështje që e ka diskutuar me Kryeministrin këto kohë. Mediu theksoi se është i hapur për të zhvilluar një takim me kandidatin e vetëshpallur, Fatos Nano.
Patjetër që do ta takoj zotin Nano. Unë kam qenë për dialogun politik, është më se i domosdoshëm, sidomos për çështjet e interesit kombëtar. Unë besoj te një President që do të vijë si fryt i diskutimeve dhe debateve brenda forcave politike dhe një vendimmarrje që qartësisht duhet të jetë kushtetuese, pas një diskutimi konstruktiv, shprehet Mediu.