E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji, pritet të shqyrtojë sot ankimimin e PS-së

Pas kthesës së papritur në seancën e djeshme, Kolegji pritet të shqyrtojë sot në orën 10:00 ankimimin e Partisë Socialiste, të dorëzuar në datën 2 korrik nga ana e kësaj force politike.
 

Në seancën e djeshme të Kolegjit në momentin e fundit Partia Socialiste hoqi dorë nga ankimimi i bërë në 30 qershor, në bazë të të cilit ishte pavlefshmëria e zgjedhjeve, duke kërkuar më parë shqyrtimin e ankimimit të 2 korrikut.
 

Në kërkesën e depozituar në 2 korrik, Partia Socialiste kërkon nga Kolegji që të urdhërojë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i cili shpalli fitues kandidatit demokrat Lulzim Basha me 93 vota.

Më herët gjatë ditës së djeshme përfaqësuesi ligjor i PS, Damian Gjiknuri deklaroi se kjo forcë politike nuk ka hequr dorë nga ankesa por kërkesa e PD-së për t`i bashkuar këto çështje ka për qëllim ta fusë gjykimin në shtigje tepër të rrezikshme.
 

Nga ana tjetër drejtori i kabinetit i kryeministrit dhe përfaqësues i PD-së në këtë proces, Oerd Bylykbashi, tha se kjo është një taktikë e Partisë Socialiste që synon të zvarrisë procesin.

Ndërkohë trupa gjykuese për shqyrtimin e ankimimit të PS-së ka për relatore të çështjes Sashenka Jonuzi dhe anëtarë gjyqtarët Astrit Kalaja, Neriban Mullai, Marije Qiriazi dhe Dhurata Haveri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›