Kolegji zgjedhor nis shqyrtimin për fletët e gabuara

Kolegji zgjedhor ka nisur shqyrtimin e ankimimit të Partisë Socialiste, e cila kërkon shpalljen e pavleshme të procedurës dhe vendimit të KQZ, për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.
Partia Socialiste përfaqësohet në seancë nga Eno Bushi dhe Arjan Salati ndërsa nga Partia Demokratike të pranishëm në sallë janë avokati Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi, Viktor Gumi dhe Ilir Rusmajli.
Në këtë kërkesë Partia Socialiste sqaron se katër anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga mazhoranca, propozuan një projekt vendim sipas të cilit fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara të konsiderohen të vlefshme.
Përfaqësues të selisë rozë dhe tre anëtarët e KQZ-së e kanë kundërshtuar propozimin duke deklaruar se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk kishte të drejtë të numëronte fletët dhe se mund ti hapte ato pas ankimimit të rezultateve zyrtare.
Një ditë më parë, Kolegji rrëzoi kërkesë e parë të PS-së, atë per vonesen e shpalljes së tabelës së rezultateve të KZAZ-së 49 nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Ndërkohë vendimi i sotëm pritet të vendosë pak a shumë fatin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.