E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të izoluar nga bota

Fotoja u bë e famshme në të gjithë botën: dy burra me trupa të pikturuar me ngjyrë të kuqe, të cilët kanë drejtuar harqet e tyre drejt qiellit, duke marrë në shenjë fotografin që po i fotografon nga një avion. Pranë tyre duket një shtëpizë e vogël, çatia e së cilës është e mbuluar me kashtë, ndërsa nga pas qëndron një grua me trupin e ngjyrosur me të zezë. Fotoja u shkrep në maj të vitit të kaluar, në një pyll mes kufirit të Brazilit dhe Perusë. Autor i kësaj fotoje është Karlos Meirelles, nëpunës i "Funai"-t, Fondacioni Kombëtar për Indianët, i ngritur në Brazil për të siguruar të drejtat e popujve të tij autoktonë.

Është një dokument i jashtëzakonshëm: prova e ekzistencës së një prej "popujve të izoluar", fise indigjene që refuzojnë kontaktin me botën perëndimore. Ky është një rizbulim: burrat e kuq ishin lokalizuar rreth 100 vjet më parë, por më pas ishin zhdukur në pyllin e Amazonës.

Identitete të fshehura

Por kush dhe sa janë popujt e izoluar? Sipas llogaritjeve të shoqatës "Survival International", që prej vitesh lufton për të drejtat e tyre, janë më shumë se 100 grupe, të përbëra nga 30 deri në 250-300 persona. Jetojnë në pyllin e Amazonës mes Brazilit, Venezuelës, Kolumbisë, Perusë, Ekuadorit, Paraguait dhe në provincën indoneziane të Irian Jaja-së, gjysma veriperëndimore e Guinesë së Re. Fotoja e burrave të kuq i tregoi edhe një herë publikut të madh ekzistencën e tyre dhe frymëzoi filmin "Toka e burrave të kuq", kushtuar në të vërtetë fisit të Guarani-Kaiouatë, në Mato Groso, Brazil. Sot ky fis është i famshëm për numrin e lartë të vetëvrasjeve, sidomos mes të rinjve, sepse pronarët e mëdhenj i kanë privuar nga tokat e tyre.

Shumë pak persona janë në dijeni se ende sot ekzistojnë fise që gjuajnë me harqe dhe shigjeta, por për antropologët kjo nuk është një risi. Në 2007-ën është parë fisi Metiktir. "Ata flasin një variant të dialektit Kajapos, një tjetër grup i zonës", shpjegon zëdhënësi i shoqatës "Funai". "Femrat mbajnë të njëjtin model flokësh, të lidhura pas me një fashë dhe të rruara anash", sipas përshkrimeve të bëra nga banorët e Kajapos, të vetmit me të cilët pranon të komunikojë fisi i Metiktires. Përveç meshkujve të cilët mbajnë një këllëf në penis, këta indianë nuk veshin rroba.

Një zgjedhje për jetën

Fshehja është një zgjedhje e detyruar për këta popuj, për t‘u mbijetuar pushtimeve të paskrupullta të pronarëve të mëdhenj të tokave, gjuetarëve pa leje dhe kërkuesve të arit, që shpesh i sulmojnë, i vrasin, i dehin me alkool dhe më pas u përdhunojnë gratë. Dimë shumë pak gjëra për ta: janë nomadë dhe merren me gjueti, peshkim dhe mbledhje të zarzavateve, të cilat i përdorin për t‘u ushqyer, për t‘u kuruar, por edhe për të ndërtuar shtëpi, për të prodhuar armë, për të pikturuar trupin, për të prodhuar sapunë, deodorantë e parfume. Shoqëria e tyre nuk ngrihet në bazë të ndonjë hierarkie formale, por mbi një strukturë barazimore: i marrin vendimet me mirëkuptimin e të gjithëve. Gjithsesi, askush nuk ka të dhëna të sakta mbi mënyrën e tyre të të jetuarit. E vetmja gjë që dihet saktë është se ata nuk dëshirojnë të kenë kontakt me pjesën tjetër të botës. "Është një popull i harbuar dhe me një sens të jashtëzakonshëm humori. Mbrëmjeve mblidhen rreth zjarrit dhe flasin e bëjnë shaka me njëri-tjetrin", shprehet një prej përgjegjësve të "Funai"-t, që ka pasur shansin të vizitojë nga afër një prej këtyre fiseve. Vetëm kontaktet e këtij lloji ose tregimet e indianëve të tjerë mund të krijojnë një ide më të qartë të botës së këtyre njerëzve. "Ajo që të tërheq më shumë tek ata është paqja, rëndësia që ka për ta shoqërizimi dhe festa, e sidomos mendimi se mund të jetojnë në një ekuilibër me ambientin", shton ajo.

Gjuhë të pakuptueshme

Një antropolog, i cili ka pasur kontakte me një fis të izoluar të amazonës, Piraha, është Dan Everett, ekspert i gjuhës në Universitetin e Ilinoisit. Gjuha e fisit Piraha nyjëtohet vetëm në 7 tinguj, prej të cilave 3 janë vokale dhe nuk ka terma për të përshkruar as ngjyrat e as numrat, përveç 1-shit dhe 2-shit. E njëjta frazë mund të thuhet në tri mënyra të ndryshme, duke folur, kënduar dhe fishkëllyer. "Është një gjuhë krejtësisht ndryshe nga ato që njihen dhe nuk mund të përjashtojmë faktin se popujt e tjerë të izoluar mund të kenë zhvilluar një sistem të ngjashëm komunikimi. Në të vërtetë, struktura e gjuhës së pirahasve, e cila ndryshon shumë nga të tjerat, tregon se nuk ekzistojnë skena të përbashkëta me të gjitha gjuhët njerëzore", thotë antropologu.

Studime gjenetike

Popujt e izoluar mund të na tregojnë shumë gjëra mbi të kaluarën tonë. Për shembull, studimet mbi popujt e ishujve Andamanë shpjegojnë origjinën e popujve aziatikë. "Fiset Jaraua dhe Onge që banojnë në arkipelag, në total janë 500 mijë vetë, ngjajnë shumë me xhuxhët afrikanë. Janë të shkurtër, kanë ngjyrë lëkure të errët, legen të gjerë dhe flokë kaçurrela". Studimet e bëra mbi ADN-në e tyre kanë konfirmuar se janë ata filizat e afrikanëve të parë të nisur rreth 80000 mijë vjet më parë për të kolonizuar Azinë. Nga trungu i tyre rrjedhin të gjithë aziatikët e sotëm, me ngjyrë të çelët dhe sy bajame.

Përse na refuzojnë

Çdo fis i izoluar i botës mbart në vetvete një trashëgimi kulturore dhe shkencore me vlera të mëdha. Por zgjedhja e tyre është arratisja dhe kjo për arsye shumë konkrete: persekutimi në emër të biznesit të paskrupullt. Popujt e izoluar ia mbathin sepse ndiqen nga buldozerë që përpiqen të shkatërrojnë pyllin e tyre. Gjithashtu perëndimorët janë të rrezikshëm për ta, sepse sjellin në këto pyje sëmundje për të cilat indigjenët nuk kanë antitrupa. "Për ta edhe një ftohje e lehtë mund të bëhet një rrezik vdekjeje". Sa herë që një popull i izoluar ka hyrë në kontakt me botën tonë, është përfshirë nga epidemitë.

Sa janë dhe ku ndodhen?

Brazil 40, Peru 15, Bolivi 2, Kolumbi 3, Ekuador 1, Paraguai 1. Amerika e Jugut 62 (58%)

Indi 1

Azi 1 (0,9%)

Indonezi 44

Oqeani (41,1%)

Totali 107

Emri: Enawene

Ku jetojnë: Kingu, Brazil

Kur u zbuluan për të parën herë në vitin 1974, ishin 97 vetë. Sot grupi i tyre numëron 500 mijë persona. Ushqehen me peshq dhe jetojnë në baraka të mëdha. Nderojnë shpirtrat e tokës dhe qiellit me këndime, vallëzime dhe muzika flautesh

Emri: Sentinelles

Ku jetojnë: Në ishullin Sentinel, Indi

Ky fis refuzon çdo lloj kontakti. Të gjitha kontaktet e mundshme janë bërë në distancë, nga deti, kur shkojnë për të mbledhur arra kokosi

Emri: Awa

Ku jetojnë: Maranhao, Brazil

Ky fis përbëhet nga 250 persona. Dikur ishin bujq artizanë, por në vitet 1800 u transformuan në nomadë, pas kontakteve të para me njerëzit e bardhë

Emri: Zow

Ku jetojnë: Para, Brazil

Kur takojnë një të huaj, i thonë: "Auhanne" ("Si quhesh") dhe shumë kureshtarë e prekin atë për ta njohur. I afrohen çdokujt e fillojnë ta gudulisin. Nuk kanë pamje të rrezikshme



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›