E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjithmonë Xhulja

“Pretty Woman” (“Gruaja e bukur”) tashmë është rritur dhe është rikthyer me një film në rolin e një gazetareje në krizë, e cila lë të shoqin dhe Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që zbulon dashurinë, seksin dhe lumturinë

Xhulja Roberts është një grua e qeshur. Jo më kot me buzëqeshjen e saj në filmin “Pretty Woman” të vitit 1990, kur ishte 22 vjeçe, u bë femra më e dëshiruar në botë. Madje më shumë: ajo e Xhulja Roberts ishte buzëqeshja e dhjetëvjeçarit, simbol i optimizmit, shpresës, fytyra e një Amerike edhe më e dashur për botën. Prostituta me shpirt të lirë, e interpretuar asokohe nga Xhulja Roberts, në sagën e Geri Marshall filloi të pëlqehej në masë nga të gjithë amerikanët. Por sot aktorja thotë: “Në fund të xhirimeve, ende nuk e kisha kuptuar domethënien e atij filmi. Më pëlqente, ishte një komedi e re: një prostitutë e cila kërkonte lumturinë, por nuk e prisja që përmes tij të rrëmbeja zemrat e miliarda personave”.

Roberts shpreson që të ketë të njëjtin sukses me filmin e ri, i cili titullohet “Eat Pray Love”, marrë nga bestselleri autobiografik i gazetares Elizabeth Gilbert. Në libër ku flitet për një brez femrash amerikane, ikonë është një gazetare e cila duket se ka arritur gjithçka në jetë: ka një punë të mirë, një bashkëshort të suksesshëm, një apartament modern dhe një shtëpi në fshat, por që krejt papritur kupton se nuk ka asgjë nga ato që kishte ëndërruar. është një grua moskokëçarëse, e cila zgjedh të braktisë ngrohtësinë e diellit në kërkim të vërtetësisë. Xhulja shpreson që të prekë shumë gra ashtu siç bëri me filmin “Pretty Woman”, por me një mesazh të kundërt dhe spekulues, ku e rëndësishme është të gjesh një copë paqeje në shpirt: “është e rëndë të shihesh një mëngjes në pasqyrë dhe të pyesësh veten nëse je e lumtur, megjithatë vetëm kështu fillon të jetosh një jetë të denjë”, thotë ylli i kinemasë.

Ndoshta mund t’iu çudisë fakti që edhe Xhulja Roberts ka diçka të përbashkët me këtë 30-vjeçare, e cila është zhytur në krizë. Një tjetër sukses i Roberts ka qenë edhe filmi “Martesa e mikut tim më të mirë”, ku interpreton përkrah aktorit Rupert Everet. Tre vite më vonë vjen roli më i suksesshëm në ato vite karrierë: “Erin Brockovich”, drama tepër e pëlqyer e regjisorit Stiven Soderberg, që bazohej në një histori të vërtetë amerikane. Me atë film në vitin 2001, Xhulja Roberts fitoi çdo çmim të mundshëm në festivalet e filmave nëpër botë, ndërsa në atdheun e saj rrëmbeu “Globin e Artë” dhe “Oskarin”.

Gjatë atyre viteve kur në kinema triumfonte imazhi i një Amerike të mirë, u shuan me shpejtësinë e dritës dy Kullat Binjake të Nju Jorkut. Amerika e sotme të ngjall më shumë frikë se sa në kohërat e Bill Klintonit. Edhe Xhulja Roberts ka ndryshuar. Sot është një nënë 43-vjeçare. Buzëqeshja ka mbetur po e njëjta, por shikimi jo. Ajo mban mbi shpatulla dy martesa të dështuara. E para, në vitin 1991, mund të quhet gjysmë martesë, sepse braktisi në altar kolegun Kejfir Sethërlend. E dyta ndarja nga këngëtari cauntri Lajl Lover, në vitin 1995. Më pas vijnë dashuritë e pafata, flirtet me aktorë e këngëtarë të ndryshëm, si Riçard Gir, Daniel Dej-Ljuis dhe Metju Perri. Pastaj në vitin 2002 një martesë tjetër me producentin Majk Moder dhe tre fëmijë të cilët kanë lënë shenjë në fytyrën dhe trupin e saj.

Aktorja më e paguar e Hollivudit (rroga e saj ka variuar nga 300 mijë dollarë për filmin “Pretty Woman”, në 25 milionë dollarë për “Erin Brockovich”), e zgjedhur 11 herë gruaja më e bukur e botës nga revista “People” dhe gruaja më e fuqishme e Amerikës në vitin 2004 nga revista “Fortune” (më shumë se Kondoleza Rajs dhe Laura Bush), sot është një zonjë që ka nevojë sidomos për diçka: kohë. Nuk ka film ose angazhim tjetër që vjen para faktit të të qenit nënë dhe bashkëshorte. “Në shtëpi jemi të gjithë të lumtur dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin”, thotë ajo. Që nga viti 1987, kinematë amerikane kanë fituar prej filmave të saj 2,3 miliardë dollarë. Sot ajo punon vetëm kur ka mundësi dhe dëshirë, sepse vëmendja është përqendruar diku tjetër. “Deri tani ndihem mjaft e vlerësuar dhe e paguar. Jam e kënaqur me jetën që bëj. Gjatë pesë vjetëve të fundit, çdo orë në jetën time e kam jetuar sikur të ishte dita e fundit”. Xhulja thotë se ia ka arritur qëllimit falë fëmijëve. Sipas saj, janë forca dhe frymëzimi i vetëm. “Im bir Henri, më i vogli, një ditë u zgjua në pesë të mëngjesit dhe me sytë gjysmë të mbyllur më tha: ‘Mami, sot është një ditë e mrekullueshme!’. Nuk ka gjë më të bukur për një prind se sa ato fjalë”.

Në Los Anxhelos, ku jeton që prej vitit 2002, të gjithë varen nga buzët e saj: është shndërruar pak a shumë në një “Nënë Madhe”, e cila fal ngrohtësi dhe jep këshilla të vlefshme. Sot vetëm tri femra e bashkojnë Amerikën: Meril Strip, Xhulja Roberts dhe Mishel Obama. Admiruesi i fundit i Roberts është regjisori Rajan Mërfi, krijuesi gjenial i serialt “Nip & Tuck”, që së bashku me Havier Bardem dhe Xhejms Franko kanë drejtuar filmin “Eat Pray Love”. “Me Rajanin u miqësuam shpejt dhe filluan të qeshnin me të madhe 30 minuta pasi ishim njohur”, tregon aktorja. Por filmi “Eat Pray Love” e ka trembur pak. Ajo kujton se skenarin nuk e preku një javë me duar, por e kishte lënë mbi tavolinë. “Kur lexova librin u mahnita: në ato faqe u përballa me të gjitha pyetjet që i bëja vetes dhe një pjesë të përgjigjeve i gjeta. Për këtë arsye nuk kisha guxim të lexoja skenarin. Prej pak kohësh kisha mbushur 40 vjeçe, isha e martuar dhe kisha tre fëmijë, ndaj më dukej e pamundur të identifikohesha me autoren”. Kërkimi i një përgjigjeje për të gjetur lumturinë, e detyron gazetaren të ndahet nga burri dhe udhëtimi mes Italisë, Indisë dhe Indonezisë, për Xhuljan kishte aromë tepër të fortë rreziku: “U gabova, sepse në njëfarë mënyre isha mësuar me atë jetë. Ato faqe libri patën një efekt të magjishëm mbi mua. Nuk mund ta shpjegoj ndryshe faktin se ku e gjeta gjithë atë forcë që më çoi në Romë, Indi dhe Bali, së bashku me fëmijët e mi”.

Aktorja shpjegon se si ai udhëtim real dhe shpirtëror i përshkruar në libër, e formoi edhe më shumë profesionalisht: mos vallë këtu një rol të rëndësishëm luan edhe 45-vjetori i lindjes i cili po i afrohet? “Nëse marr shembull nga Kethrin Hepbërnin e viteve ‘60, Shirli Meklein e viteve ‘80 dhe Meril Strip i ditëve të sotme, shoh shumë vite dritë para meje”, përfundon aktorja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›