Koleksioni i rrallë i piktorit Kolë Idromeno nis restaurimin
Një ndër koleksionet më të rralla që ka Galeria e Arteve gjenden në laboratorin e konservimit dhe restaurimit. Koleksioni prej 26 veprash të piktorit Kolë Indromeno po kalojnë me radhë drejt restaurimit. Projekti për restaurimin dhe konservimin e këtyre veprave me vlerë të veçantë ka nisur që në muajin shkurt të vitit 2010. Sipas specialistëve po bëhet me radhë restaurimi dhe evidentimi i këtyre veprave. Piketimet e para janë bërë mbi pikturat “Shën Maria me Krishtin e Shën Anën” dhe “Portret Djali” (1927) kanë thënë Majlinda Agolli dhe restauruesi Olsi Lasko. Në tablo janë të dallueshme qartë vragat e bëra nga koha dhe prova që specialistët kanë bërë në një cep për të provuar nëse është e domosdoshme apo jo heqja e vernikut të mëparshëm. Restauruesi Olsi Lasko shprehet se të paktën këto 20 vitet e fundit kjo pikturë nuk është ekspozuara asnjëherë, por ka mundësi që edhe më parë të mos i jetë bërë e njohur publikut. Specialisti shprehet se gjatë kësaj kohe që u ka shërbyer për studimin e 26 veprave që GKA ruan në fondin e saj nga Idromeno, kanë vënë re dëmtime të ndryshme. Një pjesë e veprave ka nevojë për një pastrim të thjeshtë, ndërsa të tjera paraqesin nivele më të rënda dëmtimi siç është shkëputja e shtresave, dëmtimi i kanavacës, shkëputja e bojës nga kjo e fundit. Në tavolinën e punës gjenden aktualisht edhe “Plaku me çibuk” (1927), “Autoportret” (1938), “Portret i mbesës” (1932). Pas restaurimit të specializuar që iu bë “Motrës Tone” në Francë, specialistët kanë vendosur që sivjet të punojnë edhe me veprat e tjera të fondit të Idromenos. Para pak ditësh në Shkodër është hapur ekspozita me 60 fotografi të arkitektit dhe piktorit Kolë Indromeno. Kjo ekspozitë fotografish erdhi si bashkëpunim midis Institutit Kombëtar të Albanologjisë dhe Galerisë së Arteve të Shkodrës. Mbi 60 fotografi të zmadhuara të artistit Kolë Idromeno kanë tërhequr interesin e madh të qytetarëve shkodranë, mes të cilëve edhe piktorë profesionistë, studiues të artit të pikturës, drejtues të qeverisjes vendore. Drejtori i Galerisë së Arteve të Shkodër piktori Artan Draçini ka cilësuar se "Kolë Idromeno, autori i pikturës të Motrës Tone, Dasmës Shkodrane, na shfaqet dhe si fotograf me vlera dhe aftësi artistike". Fotografitë sjellin Shkodrën e qytetëruar, ku ndërthuren shumë kultura, qendër e njohur në të gjithë Ballkanin. Draçini tha se kjo ekspozitë me dëshirën për t'i sjellë publikut shkodran pjesë nga vepra fotografike e Idromenos u bë e mundur falë bashkëpunimit me Qendrën e Studimeve Albanologjike, në arkivin e së cilës ruhet pjesa më e madhe e trashëgimisë fotografike të Idromenos. "Në këtë ekspozitë shihen gjurmët qytetëruese dhe domethënies së madhe që kishte asokohe Shkodra, portrete të fisnikëve, banorëve të zonave përreth qytetit, udhëheqësve ushtarakë shqiptarë, që luftuan për lirinë, konsujve të shteteve të ndryshme, familjeve shkodrane, klerikëve të ndryshëm, etj", shprehet përgjegjësja e arkivit fotografik në Institutin Albanologjik të Tiranës, prof. Afërdia Onuzi. Ndërsa drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Ardian Marashi, ka shprehur se "është hera e parë që koleksioni i Idromenos bëhet publik me këto përmasa.". Sipas tij, koleksioni "Idromeno" ruhet në arkivin e fotografisë të Institutit të Kulturës dhe Arteve pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. "Është një koleksion me rreth 1500 negativa në xham të cilësisë shumë të mirë. Fotot në këtë ekspozitë janë një pjesë e riprodhimeve të tij, i cili në një të ardhme të afërt, me nismën e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Bashkisë në Shkodër mund të kthehet në një album fotografik, përfaqësues, jo vetëm për artin e Idromenos si fotograf, por njëkohësisht, përfaqësues edhe për Shkodrën që ka ruajtur këto vlera dhe sot i bën të vizitueshme".
Jeta dhe krijimtaria e Kolë Indromenos
Kolë Idromeno lindi në vitin 1860. Ka qenë piktor, skenograf, fotograf, arkitekt, urbanist, muzikant, nismëtar i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Prej studios së tij kanë mësuar disa artistë të njohur shkodranë. Me tablotë e Idromenos fillon shkolla realiste shqiptare dhe disa nga veprat e tij sot bëjnë pjesë në thesarin më të çmuar të traditës kombëtare. Personaliteti i gjithanshëm i Idromenos ndikoi edhe në formimin e artistëve pasardhës të periudhës së Pavarësisë dhe më vonë. Tablotë më të njohura të tij janë "Motra Tone" dhe "Dasma shkodrane". "Motra Tone" u realizua në vitin 1883 dhe qëndroi në shtëpinë e Shkanjetëve, ku ishte e martuar motra e piktorit. Pas vdekjes së Tones, Idromeno e mori pikturën, në kujtim të motrës, dhe e mbajti gjatë gjithë kohës në shtëpinë e tij. Ajo u ekspozua për herë të parë në vitin 1954, pra, 71 vjet pas krijimit të saj.
22 Korrik 2010