Polakët me muzikën e përjetshme në kalanë e Lëkurësit
Një mbrëmje ndryshe në natën e tretë të Festivalit të Butrintit. Programi u zhvendos në kalanë e Lëkurësit, aty ku bashkë me natën ranë dhe tingujt magjik të muzikës së Frederik Chopin, kompozitorit perlë të kulturës europiane të shek 19-të. Interpretuesit e “Netëve shopeniane” aktorë dhe muzikantë nga teatri “Nikoli Teater” i Krakovës Poloni, nën regjinë e Nikoali Veprev, interpretuan në pikën turistike. Një natë shopeniane mbi Sarandë, riktheu shkëlqimin e botës romantike të shekullit të 19, kohë kur kompozitori i madh krijoi tingujt impresionues dhe ku kërcimet plot ngjyra shpalosën gëzimin e jetës. Spektakli muzikor krijoi pasazhe të ndryshme kohore nën muzikën e njohur tashmë si pasuri europiane dhe nën ritmin e kërcimeve polake. “Netët shopeniane” u krijuan si një projekt i UNESKO, për muzikën që nuk mbaroi me ikjen e kompozitorit por mbeti në përjetësi. Loja e dritave, ritmi muzikor dhe kërcimi plot figura, maska e kostumografi e mbështetur mbi të bardhën, zbritën magjinë e polakëve në sheshin e Kalasë së Lëkurësit, një objekt i njohur kulturor dhe turistik, nga ku kundrohet hapësira joniane dhe qyteti I Sarandës në formë teatri të madh ku në shkallare nuk ka publik po ndërtime shumëkatëshe. Dhe publiku kundron pamjen moderne të Sarandës nën tingujt romantik të Chopin.
Shkodra pret “Javën e filmit spanjoll”
Me një ceremoni të organizuar në mjediset e rrugës pedonale “Kol Idromeno”, ka nisur në Shkodër “Java e filmit spanjoll”, ku ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio dhe kryebashkiaku Lorenc Luka, përshëndetën të pranishmit e shumtë.
Ambasadori Montobio, i kënaqur për praninë në qytetin e Shkodrës, me të cilin vitet e fundit bashkëpunimi në fusha të ndryshme është intensifikuar, shprehu bindjen se “pesë filmat që do të shfaqen gjatë kësaj jave, me tematikë edukuese në shërbim të shoqërisë, do të mirëpritën nga publiku shkodran”. Sipas ambasadorit Montobio, “Java e filmit spanjoll” vjen në Shkodër pas një rrugëtimi të nisur nga kryeqyteti dhe më pas edhe në qytetin e Beratit, ku sipas tij, interesimi i publikut shqiptar për filmin spanjoll ka qenë i madh. “Ajo që e bën interesante këtë javë është fakti se pjesë e repertorit të filmave janë edhe ato me tematikë emigracionin, ku flitet për emigrantët e Spanjës në fillim të viteve '60 në Zvicër. Në një farë mënyre kjo pasqyron edhe përvojën e familjeve të emigrantëve shqiptare që e kanë përjetuar atë jashtë vendit të tyre”, u shpreh Montobio. Kryebashkiaku Lorenc Luka tha se “bashkëpunimet e Bashkisë me Ambasadën e Spanjës, ka vite që janë shtrirë në shumë fusha, ndër të cilat, kultura zë një vend të veçantë”. Duke u ndalur tek aktiviteti në fjalë, kreu i bashkisë Shkodër shprehu falënderime për organizatorët dhe në veçanti për ambasadorin Montobio, për mbështetjen që ky i fundit po i jep Shkodrës dhe në përgjithësi rajonit verior në shumë fusha. “Java e filmit spanjoll” në Shkodër do të vazhdojë deri të premten.
22 Korrik 2010