E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’heq dorë nga parakushtet, edhe pse imuniteti është kërkesë e BE

11-07-2012 / Gazeta 55

Konferenca e kryetarëve ka miratuar dje kalendarin e shqyrtimit të nismës për ndryshimet kushtetuese, duke përcaktuar 6 gushtin si afatin për miratimin e saj, por Edi Rama ka deklaruar prerë se s’ka ndërmend të kontribuojë për përmbuishjen e këtij rekomandimi të Bashkimit Evropian. I marrë peng nga një grup politikanësh që s’duan t’i nënshtrohen hetimit për pasurinë e tyre, kreu i PS e ka shumë të lehtë të vijojë të vërë parakushte, të paktën derisa të sabotohet edhe marrja e statusit të kandidatit, vjeshtën e këtij viti

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi dje, që sipas Rregullores së Kuvendit, konkretisht nenit 77/a për nismat e ndryshimit të Kushtetutës të miratohet heqja e imunitetit të zyrtarëve shqiptarë në një seancë të veçantë më datën 6 gusht të këtij viti. Për shqyrtimin dhe konsultimet me konstitucionalistë të nismës së paraqitur nga demokratët dhe aleatët e tyre u caktuan datat 20 dhe 21 korrik, dy javë pas depozitimit të saj në Kuvend.
Në nismën e tyre, e cila kërkon ndryshim të kushtetutës, demokratët propozojnë zhveshjen nga mbrojtja ligjore e imunitetit jo vetëm për anëtarët e parlamentit por edhe të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë. Ata nuk do të jenë të mbrojtur as nga arrestimet, vetëm nëse parlamenti, në rastin e deputetëve, vlerëson se cenohet funksionimi i tij.
Sipas procedurës, mësohet se trupa që shqyrton amendamentet kushtetuese përbëhet nga Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni për Çështjet Ligjore nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit. Në datë 20 korrik Këshilli Legjislacionit, një organ i posaçëm i Kuvendit i përbërë nga 10 deputetë juristë në numër të barabartë mes PD e PS, do të nisë shqyrtimin e nismës së mazhorancës. Më tej, pas përgatitjes së një raporti, këshilli ia kalon çështjen komisionit të ligjeve e më pas ky seancës plenare.
Në përfundim të shqyrtimit, mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët, i cili përmban edhe mendimin e pakicës, kur ka të tillë, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi njofton se Konferenca e Kryetarëve përcaktoi datën 6 gusht 2012 si datë për shqyrtimin e nismës në seancë plenare. Ndërkohë Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit, në cilësinë e drejtueses së mbledhjes, thuhet njoftim mirëpret konstitucionalistët për një qëndrim pro aktiv në shqyrtimin e kësaj nisme për ndryshimet Kushtetuese.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj mblodhën të premten e 6 korrikut 32 firma për heqjen e imunitetit, në një nismë për ndryshimin e Kushtetutës, sipas variantit të mbështetur nga opozita. Teksti i amendamenteve të kushtetuese është ai që kanë propozuar Misioni PACA, projekt i Këshillit të Europës, në fushën e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe Misioni EURALIUS në fushën e imunitetit të gjyqtarëve.
Mazhoranca, sipas propozimeve të PACA-s dhe EURALIUS kërkon të ndërhyjnë në nenet  73, 126 dhe 137 të ligjit themeltar të shtetit. Deputetet do të jenë gjatë gjithë kohës pa imunitet, por mund ta kërkojnë atë vetëm në rast se cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Po ashtu zhvishen nga kjo mburojë juridike gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë, ministrat, Avokati i Popullit dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. 
Në këtë situatë kur mazhoranca u bë nismëtare e nismës që opozita mbështeste parimisht, por asnjëherë nuk e konkretizoi, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje në fillim të javës që të mos e kushtëzojë atë.
Nisma e propozuar nga shumica praktikisht i zhvesh të gjithë zyrtarët, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët nga imuniteti, duke i lënë një mbrojtje të lehtë vetëm ndaj arrestimeve. Në rastin e deputetëve arrestimi mund të anulohet nëse parlamenti arsyeton se “po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit”. Në rastin e gjyqtarëve, si ata të Kushtetueses apo dhe gjyqtarëve të thjeshtë, po ashtu, imuniteti reduktohet thuajse tërësisht, por në rastin e arrestimit është vetë Gjykata kushtetuese apo Këshilli i lartë i Drejtësisë që vendos të mbajë në fuqi apo këtë masë.
Mazhoranca ka propozuar ndryshimin e neneve të Kushtetutës për deputetët dhe gjyqtarët dhe shfuqizimin e paragrafëve që u japin imunitet Avokatit të Popullit, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe anëtareve të Këshillit të Ministrave. Lënia e imunitetit nga zyrtarët për veprën penale të korrupsionit ose krimit të organizuar është një ndër detyrimet që Shqipëria ka përballë Bashkimit Europian në funksion të aplikimit të saj për të marrë statusin e vendit kandidat.
Për të kryer këtë ndryshim kushtetues nevojiten 96 vota. Në vitin 2005 dhe në vitin 2007, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste ndërmorën nisma për heqjen ose kufizimin e imunitetit, por pa asnjë vlerë ligjore.
Edi Rama zvarrit heqjen e imunitetit/Partia Socialiste ka shprehur publikisht qëndrimin për zvarritjen e votimit në Parlament të propozimeve ligjore për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Kryetari i PS-së Edi Rama, gjatë mbledhjes me deputetët socialistë, pohoi qëndrimin në mbështetje të heqjes së imunitetit, por theksoi se opozita nuk të bëjë më të njëjtin gabim si para 4 vitesh, kur votoi ndryshimet kushtetuese. “Qëndrimi ynë është bërë publik prej kohësh, se heqja e imunitetit duhet bërë sipas një zgjidhje të qartë kushtetuese dhe ligjore. Kjo kërkon një ndërhyrje, por PS nuk do të ndërhyrje më në Kushtetutë me nxitimin e 4  viteve më parë”. Ai nënvizoi se ndërhyrja në Kushtetutë për heqjen e imunitetit kërkon një proces të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që kjo çështje të trajtohet në respekt të frymës së kushtetutës, si dhe duke hapur një debat më të gjerë për një ndërhyrje në dobi të rritjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit.
Zvarritja ka për bazë kushte ndaj mazhorancës. Kryesocialisti, ka kushtëzuar heqjen e imunitetit me reformën në sistemin e drejtësisë. Rama përsëriti të njëjtin qëndrim kushtëzues sikundër bëri gjatë procesit negociues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, disa javë më parë. Duke folur para deputetëve, Rama mbrojti miliarderët e Partisë Socialiste. Ai u shpreh se ata prej kohësh janë shndërruar në objektivin e sulmeve nga institucionet shtetërore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›