E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja "Fazliç" përçan grupin e PD-së

"Tërmeti Fazliç" trondit mazhorancën. Riaktivizohen sërish grupet rivale brenda Partisë Demokratike për çështjen më pikante që ka trazuar politikën ditët e fundit. Çështja "Fazliç" ndan grupin parlamentar të PD-së në dy qëndrime të ndryshme, ku njëra palë kërkon të heqë peshën e fajit nga Partia Demokratike, kurse pjesa tjetër vazhdon servilizmin publik, duke thënë se Damir Fazliç është një njeri pozitiv. Një pjesë e deputetëve të grupit demokrat kanë shfajësuar Kryeministrin, duke atakuar direkt disa ministra dhe ish-ministra, që kanë futur në kurth kreun e ekzekutivit për prezencën e biznesmenit serbo-boshnjak në Shqipëri. "Fazliç, trazoi politikën në Shqipëri. Ka dyshime për identitetin e tij të vërtetë, nëse është nga Londra apo nga Bosnja, dhe pse të mos hetohet", është shprehur një prej ish-ministrave të kabinetit "Berisha". Një tjetër deputetë i djathtë shprehet se "Berisha u fut në kurth nga disa ministra të kabinetit". Çështja e biznesmenit serbo-boshnjak është kthyer në qendrën e vëmendjes jo vetëm të opinionit publik, por edhe të deputetëve demokratë. Megjithëse Kryeministri Berisha e cilëson si mik biznesmenin serbo-boshnjak, deputetë të grupit parlamentar demokrat, të cilët nuk kanë preferuar të dalin hapur në publik, nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me atë. Mungesa e vullnetit për t‘i shprehur gjërat hapur është vënë re edhe në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së, ku deputetët shpeshherë flasin për hidrocentralet, kanalizimet, duke lënë pas dore çështje më aktuale dhe më të rëndësishme të politikës. Në prag të ristrukturimit të selisë blu, dhe para zgjedhjeve parlamentare shtohen prapaskenat në partinë më të madhe të vendit. "Disa aktorë të mazhorancës ranë në kurthin me emër ‘Damir Fazliç‘. Berisha për këtë ka kërkuar transparencë dhe hetim ndërkombëtarë", shprehet një prej deputetëve të grupit të PD-së. "Të pakënaqurit" e selisë blu, të cilët nuk janë në poste ministrore kanë "fërkuar" duart që Damir Fazliç është kthyer në çështje të ditës për politikën shqiptare. Zhurma e klaneve pritet të rikthehet sërish dhe bujshëm brenda Partisë Demokratike për një seri çështjesh. Mbështetësit e Presidentit Bamir Topi shprehin shqetësim për idenë se duhet sulmuar puna e Prokurores së Përgjithshme, ndërkohë që rivalët e vjetër të ish-nënkryetarit të PD-së janë duke mprehur armët për të kritikuar punën e institucionit të pavarur të Prokurorisë, tani që shefi i mazhorancës ka dhënë edhe sinjalin e parë të bujshëm për "luftë".

Ndonëse thuhet se klanet nuk ekzistojnë, ato pritet të dalin hapur për listat e deputetëve të ardhshëm, por edhe për përplasjet politike, që pritet të rrisin temperaturën brenda së djathtës. Nga ana tjetër, Kryeprokurorja është përdorur si karremi për luftën politike mes klaneve në Partinë Demokratike. Vlen të theksohet edhe fakti që Kryeprokurorja Rama është etiketuar si e parapëlqyera e Presidentit Topi, çka është pengesa e vetme e Kryeministrit Berisha për t‘i derdhur një lumë akuzash drejtueses së organit të akuzës. Me gjithë presionin politik, Rama shprehet e patrembur përballë ‘armiqve‘, ku nëse do i referohemi një prej deklaratave të saj kohët e fundit, ajo u tregua e gatshme se do të thërras në prokurori djalin e Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, në rast se kjo do t‘i shërbente hetimeve për zbardhjen e të vërtetës së "Gërdecit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›