E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albumi sekret i Norma Jean-it

Jeta e lumtur e Norma Jean Mortenson ishte e shkurtër. Ishte e gabuar që në fillim, sepse nisi me një gabim ortografik në mbiemër, i cili duhej të ishte Mortensen, nga burri i dytë i nënës. Më pas u korrektua, me një tjetër gabim, Baker, nga burri i parë i nënës së saj. Fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk ishte babai. Mesa duket, një i dashur kalimtar, i treti mes shumë gabimeve të gruas, e cila i dha dritë asaj që më vonë do të bëhej e famshmja Marilyn Monroe. Dritë i thënshin, sepse ka pasur shumë, ose pothuajse fare në periudhën kur Marilyn quhej Norma. Edhe fotografitë e viteve të para të jetës janë të zymta, me sfonde të errëta, hije mbi fytyrë, disa gra që e mbajnë në krahë me siklet, shoqe që i qëndrojnë larg, një buzëqeshje, e cila shkrepje pas shkrepjeje, në vend që të zbukurohej, bëhej edhe më e trishtë.

Albumi i Norma-s është ditari i një udhëtimi të trishtuar, i cili, pavarësisht vlerave ekzagjeruese që i dha më pas Hollivudi (dhe ajo i pranoi në qetësi), e shndërroi në një Hirushe, duke i dhënë një fund shumë të hidhur e të bujshëm.

Në fotografinë e parë Norma është në krahët e nënës, Gladys, e cila "do t‘i linte" trashëgimi një emër që nuk vlente fare. Nëna pulit sytë para objektivit të aparatit, e mban në krahë pa dëshirë dhe duket se mezi pret çastin që ta japë për adoptim. Pas krahëve të tyre shfaqet një shtëpi e shkretë në mes të Amerikës, një gardh dhe një rrugë e ndriçuar nga disa dita. Gjithçka i ngjan një arratisjeje.

Në foton e dytë, kur ishte gjashtëmuajshe, Norma është vetëm. I është dhënë për adoptim familjes Bolender, e cila ka katër fëmijë të tjerë dhe "mblidhte" (ose më saktë mbante në një pension) fëmijët e braktisur të zonës. "Që kur ishte e vogël, jetonte në një kënetë. Familja e saj përbëhej nga 7 pjesëtarë. Të gjithë bënin banjë një herë në javë, në një vaskë të mbushur me ujë dhe jetimja lahej gjithnjë e fundit", shkruante "Time".

Pasi u largua nga ajo kënetë, ja tek është, e veshur me një fustan feste, që pozon pranë vëllait, Lester. Ai ka veshur këmishë, një palë pantallona të zaza dhe ka vënë kravatë. Ka pamjen e dikujt që është i detyruar të bëjë diçka, të cilën nuk e dëshiron. E mban përdore me detyrim dhe qëndron i kontraktuar. Ajo i ka sytë e mbyllur dhe buzëqesh për diçka që po mendon. Është tashmë në një botë përrallash, në të cilën e ndjen veten si një tjetër person, që jeton një tjetër jetë, për t‘i shpëtuar ndjesisë së të qenit e padëshiruar. Babai biologjik nuk e ka njohur kurrë; nëna biologjike e braktisi, ndërsa ajo që e adoptoi nuk e lejonte Norma-n ta quante mama. Në foton e fundit si Norma Bolender është 7 vjeçe dhe luan me një qen, Tippy-n. Ja kishin dhuruar që ta shoqëronte për në shkollë dhe ta priste aty jashtë pa lëvizur deri sa ajo të dilte. Më në fund, një qenie e donte. Por Tippy-n e vrau me pushkë një fqinji i tyre, sepse kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së tij. Nuk ka foto të kësaj periudhe. Historia është shumë patetike, sepse e kanë sajuar gazetarët. Ajo që ndodhi më pas është akoma më keq. U rikthye tek e ëma, por ajo u rishtrua në një spital psikiatrik. Atëherë e mori shoqja e nënës së saj, Grace, e cila e çonte në kinema dhe i predikonte për një të ardhme si yll kinemaje. Norma sapo kishte filluar t‘i besonte, kur Grace e ridorëzoi sërish në jetimoren e Los Anxhelosit. Grace kishte gjetur një burrë dhe nuk kishte më kohë të lirë për një fëmijë, edhe pse Norma do të bëhej një divë në të ardhmen. Dhe ja ku ndodhet: 10 vjeçe, me tortën e ditëlindjes përpara dhe dy shoqe që i rrinë larg, shumë më të vogla se ajo në moshë. Sigurisht, jo mikesha të vërteta. Në shkollë e shihnin me kuriozitet, sepse nuk kishin parë kurrë një jetime. Shpesh e pyesnin nëse njihte Oliver Twist-in, e quanin "fasule" dhe qeshnin me veshjen e saj, të cilën nuk e ndërronte kurrë. Kur doli nga jetimorja, ndërroi shumë familje birësuese, për të njëjtën arsye: meshkujt e shtëpisë e ngacmonin seksualisht dhe gratë e fajësonin Norma-n për këtë. Kështu e largonin nga shtëpia. Asnjë nga këto çifte adoptuese nuk është pjesë e albumit. Mirëpo ja një trio grash të moshuara dhe Norma pak më poshtë, papritur e lumtur. Më e gjata nga tre gratë e moshuara quhet Ana dhe është nëna e Grace-s, gjyshja që nuk e kishte pasur kurrë dhe që e mbajti "në një serrë, duke e kultivuar dhe duke pritur që Norma të lulëzonte". Në moshën 15-vjeçare ishte shndërruar në një lule. Nuk kishte nevojë për një eksperiencë profesionale. I mjaftonte të vendosej para objektivit, për të dhënë një pamje rrezatuese. Djemtë u marrosën pas Norma-s. Ajo, që në fëmijëri nuk ishte ndjerë kurrë e bukur, tashmë ndodhej në qendër të vëmendjes. Ky do të kishte qenë momenti më i lumtur në jetën e Norma-s, nëse Ana nuk do të kishte vdekur, duke e lënë kështu "padashur" mes një udhëkryqi: jetimore ose martesë. Dhe ja ku shfaqet Norma, ditën e dasmës së saj, me marinarin James Dougherty. Në moshën 16-vjeçare, me kaçurrela dhe buzët me të kuq, ajo është vetëm një vajzë e vogël, ndërsa do zbulojë "lojën" e trupit të saj. Në foto së bashku me James, në kopshtin zoologjik, ajo ka pamjen e një njeriu që është ndjerë gjithmonë i burgosur. Kur hyri në kafazin e pinguinit dhe buzëqeshi, ajo dukej kafsha më e egër aty. Norma përpiqej të shpëtonte nga vetvetja (çfarëdo që të ishte) dhe nga rruga që e kish mbërthyer në gracën e dëshpërimit. Martesa nuk ishte ajo që ëndërronte: jeta e shtëpiakes, ndërsa James ishte në udhëtimet e tij në det, e mërziste. Kur shpërtheu lufta, ai iku ushtar, ndërsa ajo kontribuoi për të lyer me sprajt krahët e avionit. Një fotograf bën rastësisht një shkrepje aty dhe e vendos në kopertinë. Në këtë shkrepje kishte një dritë, që do të mbërrinte deri në Hollivud. Flesh! Norma u divorcua nga James dhe nga jeta për të cilën kish menduar se ishte e destinuar. Kështu u bë Marilyn.

James do të thoshte: "Ishte tepër e ëmbël. Të gjithë dashuroheshin me Norma-n. Por nuk besoj se Marilyn u pëlqente shumë njerëzve".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›