E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshpirtje për Rinush Idrizin

Tiranë, 1973. Rinush Idrizi, si shumë intelektualë të kohës, bëhet pre e spastrimeve që regjimi komunist kishte ndërmarrë në letërsi e arte. Faturës së letrave në dosjen e tij i shtohen dhe akuzat "për shkatërrimin e metodës së Realizmit Socialist", kryesisht bazuar në artikullin e shkruar prej tij titulluar "Mbi heroin pozitiv" që Rinush Idrizi kishte botuar në vitin 1971 në gazetën "Drita". Artikulli haptazi kërkonte pasqyrimin artistik, real, pa lustër, jashtë dogmës dhe klisheve partiake, ku heronj pozitivë mund të ishin dhe sendet, jo frymorët, nëse artistikisht janë arritur nga artisti... Mjafton kaq për të kuptuar se kush ishte dhe çfarë kërkonte rebeli Rinush Idrizi...

Studiuesi, kritiku letrar dhe poeti, ndërroi jetë të premten e 17 tetorit, në moshën 70-vjeçare. Prej vitit 1995, ai la Tiranën, Shqipërinë, për të jetuar në Amerikë, edhe pse edhe atje ai zgjodhi të jetonte me kujtimet e së shkuarës dhe me vendin e tij. "E lashë tokën time, detin tim... u largova i ndjekur nga një diktaturë e re, e vjetër... Ika përmes qiejve që zbraznin oqeane"... dhe atje, pranë oqeanit në kontinentin tjetër, ai u largua nga kjo botë me një shpirt të vetmuar.

Sulmet ndaj tij dhe poezisë së tij kishin filluar më herët ndërkohë. Në vitet ‘60, pasi boton poemat "Duart", "Sytë" në revistën "Nëntori", si dhe poemën "Nëntori" botuar te "Zëri i rinisë", dy vëllimeve të tij me poezi të dorëzuara në shtëpinë botuese "Naim Frashri", u mohohet botimi si të papërshtatshme me arsyetimin: "Është për të ardhur keq se si një i ri letrar (ndonëse nuk i mungon aftësia për të shkruar, ka një fantazi, një parafytyrim poetik, krijon nganjëherë vargje dhe tablo të forta), të jetë futur në një qorrsokak të vërtetë".

I lindur më 14 gusht të vitit 1938 në Tiranë, Rinush Idrizi, si shumë intelektualë të kohës, u bë pre e vuajtjeve dhe e goditjeve prej regjimit komunist të kohës. Në poezinë e tij "Kështu e jetova komunizmin", shkruar në vitin 2003 gjatë kohës që jetonte në SHBA, Rinush Idrizi shpreh qartë se si e jetoi ai këtë periudhë, e cila la shenjë edhe në krijimtarinë e tij. Për të, komunizmi erdhi "me ca sy të zhveshur nga dashuria", erdhi me dy buzë që belbëzonin dhe arrestonin. Komunizmi për të ishte si një plumb pas kokës, ishte një torturë gjithmonë poshtëruese, komunizmi erdhi me një dorë të sigurt vrasëse... shfarosëse... i pafund prodhimi i prangave. "Dhe kultura zbriste drejt varreve...", do të shkruante për të skalitur në vargje gjithë çka ndodhi dhe i ndodhi, në kohën kur e jetoi dhe e vuajti komunizmin Rinush Idrizi.

Pasi përfundon gjimnazin "Qemal Stafa", Rinush Idrizi vijon studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës.

Më vonë, në vitin 1963, pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit, ai fillon punën si mësues i letërsisë në Politeknikumin e Tiranës, sot shkolla "Harri Fultz" dhe në gjimnazin "Skanderbeg". Më pas, fillon punë në gjimnazin "Sami Frashëri", ku punon deri në vitin 1969. Breza të tërë studentësh kanë pasur fatin të njohin mirë profesor Rinush Idrizin, sa për pasionin e tij për letërsinë dhe për mënyrën e mësimdhënies, aq edhe për motivimin e studentëve për të qenë individë me karakter dhe të lirë në mendimet e tyre. Nga viti 1969 deri në vitin 1973, ai jep mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve dhe punon si redaktor në shtëpinë botuese "Naim Frashëri" nga ku largohet dhe dërgohet në Shëngjergj si mësues, por me instruksione të qarta: "Të mos lejohet të japë lëndët e gjuhës dhe letërsisë". Kësaj periudhe i përkasin edhe vargjet: "Mbi kokë kam një dritare të vogël / Ndën këmbë kam lagështirën e përjetshme / Në trupin tim janë ndezur eksperimentet / Mbi mua bien tani pellgje të ndenjura ligjesh". Në këtë poezi të shkruar në vitin 1974, Rinush Idrizi ka përshkruar më së miri gjendjen në të cilën ndodhej asokohe, një periudhë e cila do ta ndiqte pas deri në fundin e ditëve të tij. Me largimin nga shtëpia botuese "Naim Frashëri" dhe dosjes së mbushur me akuza, atij i hiqet edhe e drejta e botimit, ndërsa thirrej herë pas here nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të bërë autokritikë. Asnjëherë nuk pranoi. Pas rreth pesë vitesh, në vitin 1980, Rinush Idrizi arrin të botojë studimin monografik mbi Ndre Mjedën. Kjo monografi propozohet për çmim në konkursin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve, por nuk konsiderohet nga komisioni i Lidhjes së Shkrimtarëve me arsyetimin se autori është i dënuar ideologjik nga Pleniumi IV. Ai gjithashtu është autor i një monografie të Migjenit. Gjatë periudhës 10-vjeçare, dhjetor 1982-1991, Rinush Idrizi u lejua të punonte në Arkivin e Shtetit me kushtet e mëposhtme: me titullin zyrtar "pastrues i arkivave", pa të drejtë titulli arkivist dhe pa të drejtë qasjeje ndaj fondit të periudhës 1940-‘45. Nga viti 1991 deri në 1993, ishte botues dhe kryeredaktor i gazetës "Humanisti" dhe "Kosova". Në faqet e këtyre dy gazetave, gjetën mundësinë e shprehjes së mendimit të lirë shumë nga ata që u ishte mohuar kjo e drejtë nga regjimi komunist, por edhe nga regjimi i ri. Rinush Idrizi iu kushtua shumë edhe çështjes së Kosovës, për të cilën botoi një numër të konsiderueshëm artikujsh. Në vitin 2006, ai botoi vëllimin me poezi (ende i papromovuar) titulluar "Syri i botës". Në këtë vëllim, përmblidhen poezi të cilat ai i ka shkruar duke nisur që nga viti 1970. "Syri i botës" është i ndarë në pesë kapituj "Midis halucinacioneve të atdheut", "Ekzekutimi", "Fantazma e heroit pozitiv", "Ëndërrime demokracie" dhe "Dialog me poetin Lasgush Poradeci". Në poezinë e tij, Rinush Idrizi duket se ka rrëfyer brendinë e shpirtit, botën e tij të brendshme, si një homazh ndaj kohës së shkuar dhe asaj që erdhi pas saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›