E Diel, 1 Nëntor 2026

Orhan Pamuk: Një libër ku nuk kam kursyer asgjë nga vetja

Shkrimtari turk, fitues i çmimit "Nobel", Orhan Pamuk, flet në një intervistë për revistën gjermane, "Der Spiegel", mbi romanin e tij të ri, "Muzeu i Pafajësisë", ku personazhi kryesor, Qemali, është mbështetur më së shumti te vetë autori. I përket shtresës borgjeze të Turqisë, e jeton fëmijërinë dhe rininë si vetë Orhan Pamuk dhe ka me shoqërinë e me shtresën e vet të njëjtin qëndrim me autorin.

Zoti Pamuk, në punën tuaj të fundit përshkruani kënaqësitë dhe dhimbjet e birit të një biznesmeni në vitet shtatëdhjetë. Teksa përshkruani dashurinë e Qemalit, protagonistit, me një kushërirë, gjithashtu vizatoni një portret kritik të Turqisë. Me 500 faqe, "Muzeu i Pafajësisë" është puna juaj më voluminoze. A e konsideroni njëherësh edhe veprën tuaj më të rëndësishme?

Ish-bashkëshortja ime, me të cilën mbaj raporte shumë të mira, e ka lexuar librin. Bëri një koment me të cilin jam shumë dakord. Tha: "Ke shkruar për gjithçka di në këtë botë". Dhe ka të drejtë.

Përshkruani mjedisin ku u rritët, shtresën e lartë të Stambollit...

Libri mbulon portretin e shtresave të larta gjatë një 50 vjeçari. Aty gjenden edhe shtresat e ulëta, por më së shumti është portret i borgjezisë turke. Në Turqi ka një borgjezi disi të ndrydhur, hezituese, të çuditshme: gjysmë e shtypur, gjysmë viktimë, gjysmë arrogante. Është një grup shumë i vogël njerëzish; është portreti i tyre. Mes tyre jam munduar të hedh vështrimin te shpirti i kombit, le ta themi, te problemet kulturore të Turqisë.

A bazohet te ju personazhi kryesor i librit, Qemali?

Nëse je i majtë ose politikisht i motivuar, thjesht dëshiron të harrosh që ke bërë atë lloj jete. Mirë, unë jam shkrimtar, por përse nuk duhet të shkruaj për veten? E bëra këtë dhe shijova detajet ngacmuese. Ajo që përjetojnë Qemali dhe shokët e tij është edhe jeta ime - edhe ajo e tim eti, madje veçanërisht e tim eti.

Sa shumë Orhan Pamuk është derdhur te Qemali?

Ka aq shumë, sa e lejon sfondi shoqëror i Qemalit. Në fakt, Qemali vjen prej një familjeje më të pasur. Pamukët ndihen disi të turpëruar, pasi e humbën pasurinë, ndërsa Qemalët janë ekstravagantë dhe e shijojnë jetën. Kam qenë në të gjitha vendet ku shkon Qemali, por vetëm si pjesëtar i një familjeje që e ka humbur pasurinë para dy-tre brezash. Identifikohem me Qemalin veçanërisht në periudhën e fëmijërisë, te raportet që ka me të ëmën, si dhe me shërbyeset e kuzhinierët. Aty është familje ime. Kur vjen fjala për raportet e Qemalit në biznes - si shkrimtar nuk di asgjë mbi biznesin - mbështetem te kuturisjet në biznes të babit tim dhe miqve të mi. Aty resht së qeni njësh me Qemalin.

Ajo që lë më shumë përshtypje në punën tuaj është dashuria për detajet, ndjeshmëria ndaj gjërave të vogla që na ndodhin përditë.

Libri përmban shumë detaje të tilla: psonisja, thashethemet që po hapet një dyqan i ri, ku mund të blesh veshje perëndimore. Por konceptet më të thella te Qemali janë krimi dhe ndëshkimi, fajësia dhe përgjegjësia. Janë këto problematikat që shtjellon romani - por jo kaq drejtpërdrejt dhe hapur sa po i përshkruaj unë tani. Marrëdhëniet e Qemalit me familjen janë të brishta dhe problematike, si të miat.

Edhe ju vetë keni qenë i lënduar nga të njëjtat dyshime që shqetësojnë Qemalin?

Qemali përballet me probleme në jetë dhe largohet nga ajo jetë borgjeze që priste. Edhe në këtë pikë brenda personazhit jam unë. E gjithë familja ime priste të isha borgjez, t‘i hyja biznesit, të pasurohesha. Por papritmas unë mora drejtimin e letërsisë. Mund të hiqen vija paralele mes meje e Qemalit, sidomos te ndjenja e fajit për largimin nga komuniteti borgjez. Edhe Tomas Man përmend ndjenjën e fajit prej të mos qenit borgjez në masën e duhur.

Duket se ndani me Qemalin të njëjtin pasion për muzetë.

Jam shumë i dhënë pas muzeve. Ka shumë nga unë te Qemali, sidomos kur në fund të librit ai viziton gjithë ato muzeume. Ndaj me të të njëjtat ndjenja në çastin kur gjendet në një muze, ku njeriu mund të eksplorojë pasionet e veta. E gjithë bota dhe e tashmja lihen prapa. Gjendesh në një atmosferë tjetër, në një kohë tjetër. Edhe unë edhe ai kemi ndjesinë se dalim jashtë kohës. Më pëlqen kjo. Nuk e di përse më pëlqen, por ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në libër.

Ka gjasa që vetë literatura të bëhet një lloj muzeu për një grup të caktuar?

Kur them muze, nuk e bëj, le të themi, siç vepron Andre Malro, i cili e përdor si metaforë. Andre Malro thotë "muze imagjinar": muzeu nuk ekziston, vetëm letrat. Kur unë them muze, dua të them muze. Them se praktikisht shpresoj të hap një muze këtu në Stamboll. Qëllimi është që një ditë, dy ose tre vjet më pas, lexuesi i këtij libri të vijë në muzeun tim dhe të shohë të ekspozuar çdo objekt për të cilin është shkruar në libër. Kam blerë prej vitesh një terren dhe janë gati edhe projektet e ndërtimit. Kam folur me disa kuratorë të rëndësishëm.

Romani juaj më i ri rrëfen jetën e Qemalit dhe dashurinë e tij për Fusun-in. E megjithatë, në të njëjtën kohë është edhe historia e Turqisë.

Ambicia e librit është të shikojë thellë brenda vendit, shpirtit të kombit, historisë turke dhe problemeve të identitetit. Libri e bën këtë përmes përshkrimit të shtresës borgjeze dhe jo burokracisë e politikës. Jam përpjekur të shpalos përbërjen morale dhe shoqërore të vendit tim.

Është kjo arsyeja për të cilën nuk u shmangeni skenave erotike?

Janë eksplicite, por nuk është e thënë të kenë përmbajtje të fortë seksuale. Seksi në libër është një shprehje e ndjenjave mes Qemalit dhe Fusun-it. Kjo është edhe gjëja më e vështirë: të jesh shprehës, por jo provokativ dhe seksi; të arrish të shkruash për një skenë seksuale si të qe skenë shpirtërore. Është pjesë e ekzaminimit të moraleve seksuale, shkak për të cilën unë diskutoj edhe virgjërinë dhe pafajshmërinë.

Kjo përbën qëndrim politik në një vend islamik si Turqia, apo jo?

Libri im është politik, por në një mënyrë të thellë dhe kulturore. Ngarkesa e tij politike më së shumti shfaqet në diskutimin që i bën shtypjes së gruas në rrugë të ndryshme, qoftë kur bëhet nga të ashtuquajturit "perëndimorë", "modernë" apo "të qytetëruarit" e shtresës së lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›