Kollozi: përkrahje iniciativës krijuese, ja projektet

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Vlorës, Ardi Kollozi, takon shkrimtarët dhe krijuesit
“Përkrahje të iniciativës krijuese të shkrimtarëve dhe poetëve të Vlorës”. Kjo do t’i garantohej nga kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Ardian Kollozi krijuesve, paraditen e së premtes, në një kafe miqësore me ta. Kollozi tha se objektivi i tij, është t’i kthejë funksionalitetin Pallatit të Kulturës, ku shumë hapësira të së cilit janë dhënë me qira.
Kandidati demokrat theksoi se ky pallat do të ketë një ambient të posaçëm, që do të pagëzohet me emrin “Vlora”, i cili do t’iu lihet në dispozicion penave të arta të qytetit.
Krahas kësaj iniciative, Kollozi prezantoi edhe atë për ri-dimensionimin e Bibliotekës së qytetit të Vlorës. Sot kjo bibliotekë si pasojë e mungesës së investimeve, dhe titujve, që është braktisur nga qytetarët, do të shndërrohet në një institucion të hapur. Kollozi tha se do të rriten dhe mirë menaxhohen fondet për të përkrahur krijuesit aktuale, si edhe ata të rinj. Në këtë fushë, iniciativat e bashkisë aktuale lënë shumë për të dëshiruar, edhe pse shpenzon një fond prej 480 milionë lekësh në vit.
Përfaqësues të Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve Petro Marko, çmuan në bisedën me z.Kollozi, vëmendjen që ai i ka kushtuar artit dhe kulturës në programin e tij.
Krahas programit elektoral, në këtë takim miqësore, kandidati demokrat bisedoi me shkrimtarët edhe mbi letërsinë, një preferencë e tij e hershme. Ku pavarësisht impenjimeve në politike, libri do të ishte për Kollozin një bashkë-udhëtarë.
Në bisedë u vlerësuan shkrimtarë, poete dhe artistë Vlonjatë, të cilët konsiderohen Korife të artit dhe Kulturës Shqiptare.