Wollfarth: Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për zgjedhje me standarde

Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë mbështet vendimin e KQZ-së për komisionerë shtesë dhe vulë më vete gjatë zgjedhjeve të 8 majit
Ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth deklaron se 8 maji është një shans për të zhvilluar zgjedhje me standarde, duke i konsideruar shumë të rëndësishme këto zgjedhje kreu i OSBE apeloi për pjesëmarrje. Duke iu referuar vendimit të KQZ-së për vulat rezervë, ambasadori theksoi se vlerëson çdo vendim që shkon në funksion të mbarë vajtjes së procesit. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë besim tek sistemi dhe ata që presupozohet t’u shërbejnë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve të qëndrojnë aty ku duhet të jenë dhe të bëjnë detyrën e tyre. Është shumë e rëndësishme që tek qytetarët të ndërtohet besimi tek sistemi. Është shumë e rëndësishme që kur qytetarët të shkojnë të votojnë në qendrën e votimit ta bëjnë në prani të komisionerëve. Nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën, ka pasur raste kur komisionerët janë larguar, gjë që nuk duhet të ndodhë. Dhe në raste të tilla duhen të merren masa korrigjuese, të cilat janë duke u marrë dhe mua më duken një përgatitje me vend”- ka deklaruar ambasadori. Kreu i prezencës së OSBE/ODIHR ka nënvizuar se “Shqipërisë nuk i mungon asgjë që të arrijë standardet në ditën e 8 majit”. “Është çështja tek vullneti politik, i cili nuk i delegohet vetëm partive politike por dhe tek qytetarët që duhet të kenë besim dhe të bëjnë detyrën e tyre”- tha ambasadori i OSBE. Deri më tani ODIHR-i ka publikuar dy raporte: i pari ishte ai i vlerësimit të nevojave dhe i dyti ishte raporti ndërmjetëm. Misioni vëzhgues i kryesuar nga Jonathan Stonestreet ka deklaruar tanimë se raporti paraprak për zgjedhjet e 8 majit do të publikohet në datën 10 maj, dy ditë pas ditës së votimit.