E Diel, 1 Nëntor 2026

Hague: S'ka ndryshim kufijsh në Ballkan

(E plotësuar) Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim sekretarin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague. Ky i fundit ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Jahjaga dhe sekretari i jashtëm Hague kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për angazhimin e Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit me theks të veçantë në Kosovë.

“Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fushat dhe theksoi se Britania është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës, shtetit që është bërë një faktor paqeje, stabiliteti dhe promotor i fqinjësisë së mirë”, thuhet në njoftim.

Sa i përket procesit të dialogut me Republikën e Serbisë, që po lehtësohet nga BE-ja me mbështetje të SHBA-ve, presidentja Jahjaga ka theksuar se “kjo është mënyra më e mirë për normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve që kemi pasur një të kaluar të vështirë”. Ajo ka deklaruar me ketë rast se i ka dhënë mbështetje takimit tw nivelit të lartë, në cilësi të barabartë, të kryeministrave të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit.

Duke vlerësuar se Plani Ahtisaari është mënyra më e mirë për integrimin e komunitetit serb, presidentja Jahjaga ka deklaruar se ky plan ka dhënë rezultate në pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Kosovës dhe ai garanton integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

Po ashtu Jahjaga ka deklaruar se e mirëpret përkushtimin e BE-së për integritetin territorial të Kosovës, që është nënvizuar në Studimin e Fizibilitetit.

Ndërkaq, sekretari i punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague, ka deklaruar se Britania është një mike dhe partnere e Kosovës dhe ajo do të vazhdojë ta ndihmojë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Sekretari i jashtëm britanik Hague ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në vend e posaçërisht të reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore si dhe vendosjen e sundimit te rendit dhe të ligjit, duke thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sekretari i jashtëm britanik po ashtu ka theksuar se procesi i zgjerimit të BE-së me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, dhe në këtë mes edhe të Kosovës, është i një rëndësie të madhe për gjithë Evropën duke theksuar se harta e Evropës Juglindore tashmë është përmbyllur.

William Hague arrin në Prishtinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Sekretarin e Parë të Shtetit, njëkohësisht Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Jefferson Hague, i cili do të qëndroj për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ministri Hoxhaj i uroi mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Sekretarit Hague, duke shprehur konsideratat më të larta dhe mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës për kontributin e fuqishëm që Mbretëria e Bashkuar dhe ai personalisht kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për shtetin e Kosovës.

Hoxhaj po ashtu ka shprehur vullnetin e popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Parë i Shtetit, njëkohësisht Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, gjatë qëndrimit në Kosovë, do të takohet me liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›