Kolonel Xhavit Sadrijaj emërohet atashe ushtarak në Gjermani

Me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të enjten në Berlin ka filluar punën atasheu ushtarak i Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Xhavit Sadrijaj.
Kolonel Sadrijaj në punën e tij do të angazhohet për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive në pajtim me Marrëveshjen e Shkallës së Shërbimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Të enjten, Sadrijaj është pritur në Ambasadën e Kosovës në Berlin nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, me ç’rast edhe ka filluar zyrtarisht punën në këtë Ambasadë.
"Emërimi i kolonel Sadrijajt në postin e atasheut ushtarak në Berlin, është hap në kuadër të orientimeve strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, për të fuqizuar misionet diplomatike të Republikës së Kosovës dhe dinamizmin e diplomacisë kosovare. Deri më tani, në misionet diplomatike të Kosovës nëpër botë janë emëruar disa atashe, angazhimi i të cilëve po jep rezultate të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me vendet mike si dhe avancimin e punës së Ambasadave të Kosovës", thuhet ne nje njoftim te MPJ'se. /Indeksonline/