Jacobson: Institucionet e shëndosha, forcim i demokracisë

Historia nuk mund të ndryshohet por synimi është që me punë të ndryshohet e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe e zhvillimit të demokracisë. Kështu është thënë sot gjatë ceremonisë së inaugurimit të Asamblesë së Këshillave Rinore Komunale të Kosovës, ceremoni kjo në të cilën, përveç nxënësve dhe pjesëmarrësve tjerë kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë marr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, ka potencuar rëndësinë e investimeve në ndërtimin e demokracisë duke përmendur se ndërtimi i institucioneve të shëndosha e forcon demokracinë në Kosovë.
Jacobson ka pohuar se që kur ka ardhur në Kosovës ka vërejtur ndryshime të theksuara, megjithatë ka potencuar se duhet punë e vazhdueshme në luftimin e korrupsionin dhe krijimin e kushteve për sundimin e ligjit.
“Me punën tuaj të madhe, me energjitë tuaja, me entuziazmin tuaj dhe me kreativitetin tuaj, Kosova mund të lëvizë me plotë kuptimin e fjalës dhe unë kur të kthehem pas 10 vitesh dëshirojë t’i shoh disa nga ju që sot jeni të ulur në Parlament si përfaqësues të Asamblesë së të rinjve, si deputet të Kuvendit të Kosovës. Ju dëshirojë shumë fat!”, ka thënë ajo, transmeton RTK-ja.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se as të rinjtë, as politikanët aktual nuk duhet të jenë të kënaqur me këto të arritura pasi që të gjithë duhet të synojmë për më shumë përparime në vend.
“Sot kam kënaqësinë ta shoh këtë sallë me djem dhe vajza të reja që kanë treguar vullnetin dhe gatishmërinë që sot për të qenë përfaqësues të gjeneratës së re me dëshirat më të mira që nesër të vini si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësues të demokracisë së avancuar në Kosovë. “ ka thënë ai.
Gjatë këtij takim, nxënësit pjesëmarrës të KRK-ve paraqesin punën e Asamblesë së tyre në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë debatuar për çështjet e identifikuara në Këshillat Rinor Komunale duke prezantuar rezolutat të cilat janë debatuar dhe hartuar në takimet e KRK-ve. /Indeksonline/