Pushtetarët po pasurohen nga taksat tona

Në protestën e organizuar nga Vetëvendosje në Gjilan, para drejtorisë për buxhet dhe financa, Ismajl Kurteshi, kryetar i qendrës së kësaj lëvizje në Gjilan, tha se pushtetarët po pasurohen në kurriz të qytetarëve. Durimit i ka ardhur fundi dhe ne i bëjmë me dije këtij pushteti se vendin nuk e kanë në institucione, por në burg tha Kurteshi. Protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.
Protestuesit gjatë kësaj proteste mbanin në duar pankartat me mbishkrime: “Hajnat në burg”, “Të korruptuarit në burg”, kurse parulla kryesore ishte “Dorëheqja nuk mjafton”.
Kurteshi ka folur për shumë çështje që lidhen me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e pushtetit komunal në shumë fusha. Sipas tij, Qemajl Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij janë të korruptuar. “Qemajl Mustafa është një rrenc dhe gënjeshtar derisa pushtetarët po pasurohen nga taksat tona dhe tuajat”, tha Kurteshi, raporton rajonipress.
Kurteshi tha se kreu i Gjilanit është njëri nga katër kryetarët më të pasur të komunave të Kosovës, kurse në Gjilan mijëra qytetarë janë të papunë dhe bredhin rrugëve, sepse nga privatizimi kanë përfituar vetëm pushtetarët e jo edhe qytetarët e Gjilanit.
Duke folur për familjarizimin dhe nepotizmin, ai tha se Mustafa e ka punësuar jashtëligjshëm gruan e tij, të vëllanë, kunatën dhe dhëndrin. “Nuk janë vetëm këto keqpërdorime ekstreme për çka shquhet kreu i Gjilanit. Ai përmes tenderëve po keqpërdor pozitën e tij sepse tenderët nuk jepen sipas procedurave, por me lidhje”, shtoi ai.
Kurteshi tha se 1 metër asfalt në Gjilan kushton 213 euro derisa vetëm për pastrimin e objekteve dhe sigurimin fizik të komunës janë shpenzuar mbi 770 mijë euro dhe kjo tregon për një keqpërdorim ekstrem të buxhetit.
Duke folur për partneritetin publiko-privat, Kurteshi tha se edhe në këtë aspekt kreu i Komunës së Gjilanit është i zhytur dhe i korruptuar, sepse “prona e Komunës po jepet pa procedura”. “Si të mos quhet keqpërdorim kur vetëm për dreka e darka paguhen 500 euro në ditë. Nga të gjitha këto fakte e dëshmi që po i ofrojmë publikisht jemi në gjendje dhe të gatshëm edhe t`i argumentojmë para çdo prokurorie e hetuesie, e cila po fle në këto raste”, tha Kurteshi.
Ragip Abazi, në emër të pensionistëve gjilanas, tha se kjo kategori është e pakënaqur me qeverisjen lokale.”Luksi i pushtetarëve po rritet çdo ditë kurse shtresa e popullatës po dobësohet e varfërohet”.
Shkodran Rrahmani, i diplomuar dhe i papunë, foli për mënyrën e konkurseve dhe të punësimit me lidhje familjare në Komunë. “Nuk mund të punësohesh në institucione nëse nuk e njeh kryetarin ose vartësit e tij të PDK-së”, tha ai.
Tubimi ka përfunduar i qetë dhe pa probleme./Indeksonline/