E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandanti e ka partinë e tij, po PS ku është?

AGIM NESHO

Zgjedhjet e fundit për Presidentin e Republikës treguan qartë paqartësinë dhe mungesën e vizionit të lidershipit të Partisë Socialiste për zgjedhjen e një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Maxhoranca tregoi se di të administrojë çdo proces dhe ta fitojë atë në një lojë pushteti ku opozita është e paaftë dhe e papërgatitur për të ofruar alternativat e saj. E konceptuar si një lojë politike force, opozita kërkoi Presidentin konsensual për të vendosur ato ekuilibra që për të ishin të domosdoshme, në kushtet dhe pretendimet e saj se ishte e margjinalizuar në pushtetin politik dhe arritjen e balancave institucionale të nevojshme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Mënyra dhe veprimet e lidershipit të opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit treguan se qëllimet e saj ishin të kundërta me ato që shpreheshin, d.m.th. komprometuan procesin për realizimin e qëllimit të tij duke e kthyer në një retorikë pa vizion, ku më e rëndësishme ishte prezenca në takime, sesa produkti për zgjedhjen e Presidentit konsensual. Për më tepër, u duk qartë që lideri i opozitës dukej i kënaqur që Presidenti të mos ishte konsensual e ti përkiste maxhorancës, për të justifikuar qëndrimin se pushtetet i ka të gjitha pozita, dhe ky fenomen është i dëmshëm për demokracinë funksionale në Shqipëri dhe në të ardhmen do të sillte fitoren e opozitës; sjellje tipike e politikës së vjetër ballkanike.
Gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit konsensual lidershipi i Partisë Socialiste u tregua i paaftë për disa arsye:
Së pari, shembi strategjinë për marrjen e pushtetit në funksion të taktikave të momentit. Humbi taktikisht për paaftësi dhe protagonizëm duke humbur moralin dhe të qenit faktor në zgjedhjen e Presidentit.
Së dyti, kërkoi që procesi të tregojë forcën e liderëve në zgjedhjen e institucioneve, dhe jo vlerën e institucioneve. Rasti Zaganjori e provoi këtë më së miri.
Së treti, mungesa e kandidaturave të opozitës në një proces që mendohej se PS do të kontribuonte në zgjedhjen e një përfaqësuesi të unitetit kombëtar, duke treguar seriozitet dhe përgjegjësi për procesin.
Opozita duhet ta analizojë këtë rast jo vetëm si një dështim të radhës, por si një rast që tregon hapur se PS ka humbur peshën e saj si një opozitë konstruktive, si një alternativë e përgatitur për marrjen e pushtetit dhe drejtuar vendin në kushtet e një krize globale. Ajo është transformuar në një parti klienteliste që funksionon në dobi të pushtetit politik të liderit dhe grupit klientelist të tij.
Kryetari i radhës i PS, z. Rama, erdhi në pushtet në një moment kritik për Partinë Socialiste. Ai ishte kompromisi i pushtetit të konsumuar të socialistëve dhe interesave pragmatiste të një grupi të lidershipit të saj për ti dhënë pushtetin një individi që kishte ambicien dhe mundësitë për të mbajtur partinë. Partia Socialiste dhe z. Rama ishin dy pjesë që vetëm kompromisi mund ti bashkonte. Zotit Rama i duhej kali i betejës për të arritur ambiciet e tij, ndërsa PS priste një lider për tu kthyer në pushtet. Në marrjen e PS-së, z. Rama u përpoq të ndryshojë partinë nga një parti tradicionale e moderuar, e ndryshuar gjatë viteve të tranzicionit, në një parti pa formë dhe të paaftë nga pikëpamja elektorale për marrjen e pushtetit. Ai hodhi idenë e liderit – misionar (eksperienca me misionarët nuk është gjithmonë pozitive), që kërkonte përkrahjen përtej së majtës dhe së djathtës. Partia e tij tashmë sdo të kishte asgjë socialiste dhe do ti përbuzte socialistët me mendimin se nuk kanë kë të votojnë tjetër dhe mundësia e tyre e vetme është të respektojnë pa kushte komandantin e tyre duke shfrytëzuar mentalitetin e ndarjes dhe besnikërisë së elektoratit të majtë, të mbetur pa alternativë.
Ai e ktheu Partinë Socialiste nga një parti që mbronte programin e shtresave të paprivilegjuara, që luftonte pushtetin autoritar, mbronte të drejtat e njeriut etj., në një parti në shërbim të liderit të saj dhe të disa grupimeve që nuk përfaqësojnë votuesit e majtë. Pavarësisht formës demokratike të konsolidimit të pushtetit të tij në parti, me zgjedhjet një anëtar, një votë, ajo shpejt u kthye në një parti ku zëri i forumeve partiake e deri te Kryesia e partisë u anashkaluan dhe u mbytën. Autoriteti i vetëm vendimmarrës mbetej kryetari, i cili e siguronte pushtetin e tij nëpërmjet rrjeteve klienteliste të krijuara në parti.
Rrethi i parë është ai i investitorëve, ndërtuesve dhe biznesit, të cilët janë të lidhur me interesat financiare dhe influencojnë në politikëbërjen dhe vendimmarrjen e liderit.
Rrethi i dytë është ai i liderëve të rinj, pa formë dhe kontribute, të cilët do të përbënin përkrahësit pa kushte që lideri i kishte zgjedhur vetëm për ti shërbyer atij.
Rrethi i tretë është ai i disa përfaqësuesve të Partisë Socialiste (të trashëguar nga PPSH), të cilët gjatë gjithë kohës kishin qenë kundërshtues të reformimit të PS dhe tani të shantazhuar si pjesë e politikës së vjetër në rast se do të kundërshtonin apo do të mbeteshin jashtë liste po të guxojnë të flasin ose mendojnë ndryshe.
Socialistët shpresojnë më kot të shikojnë një alternativë qeverisjeje të tyre me z. Rama. Është z. Rama që e përdor partinë e tyre për të marrë, përdorur e mbajtur pushtet. Ai e ka transformuar Partinë Socialiste në një parti të tij, ku ai vetë kërkon të mbetet simboli dhe personifikimi i saj. Ai e ruan këtë pushtet duke përdorur celulat mediatike dhe predatorët e vjetër të Sigurimit të Shtetit për të mbyllur zërin dhe mendimet e lira alternative. Kjo lloj partie e ka të vështirë e deri të pamundur të fitojë, por edhe nëse fiton në një rast ekstrem që kundërshtari humbet, ajo nuk do të mund të qeverisë për interesat e votuesve të saj e të shqiptarëve.
Sot Partia Socialiste dhe personalitetet e saj të shquara, që kanë kontribute të mëdha në qeverisjen e vendit, në procesin e integrimit euroatlantik, në rindërtimin e vendit ekonomikisht pas krizës së piramidave, zbatimin e qindra programeve social-ekonomike, rrinë në heshtje dhe shohin që punonjësit e artit flasin për ligjet dhe ekonominë, kur diplomacia rajonale bëhet me ndërmjetësinë e Kurbanit, ku forma zëvendëson përmbajtjen, vrulli rinor mençurinë dhe përvojën institucionale. Kur PS erdhi në pushtet në vitin 97, liderët e saj nuk kishin ndjenjën e inferioritetit të ndanin pushtet me figurat më të shquara të opozitës si Gjinushi, Ceka, Milo, Imami etj. Sot, edhe figurat e reja tepër premtuese, intelektuale me integritet dhe formim të gjerë si Malaj dhe Blushi, po mbeten në hije, pa përmendur rolin që duhet të kenë në parti figura të spikatura si Meidani, Nano, Islami, Bufi, Dade, Leskaj, Ruka, Zeqo etj.
Po ku janë përfaqësuesit e Partisë Socialiste që janë rritur me të në betejat e gjata të luftës së saj politike? Përveç disa figurave që u shërbejnë pa kushte gjithë kryetarëve për të fituar privilegjet dhe të mirat e pushtetit, ku janë figurat e mençura dhe plot përvojë që sot nuk janë lejuar as të marrin pjesë në debatet televizive, por zëvendësohen nga master voice të radhës që plotësojnë imazhin e kryetarit?
A janë këto figura intelektuale të pafuqishme të ndryshojnë një realitet që do të çojë vazhdimisht në humbjen e PS-së në çdo betejë politike? A janë ata të pafuqishëm ndaj pretendimit tinëzar se po të jesh kundër komandantit i shërben z. Berisha? Simpatizantët e PS gjithmonë kanë besuar në kapacitetet e tyre, por ata duhet ta justifikojnë që e kanë merituar besimin e tyre, të militantëve të Partisë, të atyre që pretendojnë të qeverisen më mirë. Demokracia nuk është vetëm lojë pushteti, por, mbi të gjitha, është përgjegjësi ndaj atyre që të besojnë votën. Edhe nëse humbim personalisht duke luftuar për d

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›