E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boja e zezë e gishtit (dhe e mashtrimit)

24-06-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Më 21 qershor të këtij viti, në emisionin “Opinion”, u dha një përsëritje e një interviste të hershme të të ndjerit S. Godo. E kisha hapur shí në çastin kur i intervistuari po tregonte për lyerjen me bojë të thoit të gishtit që të mos mundeshe të votoje dy herë. I ndjeri po tregonte, me njëfarë zemërate, atë propagandën e gjerë se boja ishte e holluar dhe do të mjaftonte një banjë që të fshihej prej gishtit. Politikani plak i kishte thënë drejtuesit të emisionit, në vijim, pasi i kishte zbritur menjëherë inati, se kishte bërë nja dhjetë a pesëmbëdhjetë banja që nga ajo propagandë për të diskredituar zgjedhjet dhe ajo e zeza e thoit s’po i dilte që s’po i dilte! Ndonëse plaku dukej i molisur nga sëmundja që nuk vonoi t’ia ndërronte jetën, atij i erdhi për të qeshur, aní se fliste me një frymëmarrje të rënduar.
Edi Rama, pra, na del edhe këtu si zanatçí i nihilizmit. Me zgjedhjet e ka tepruar së tepërmi. Duhet të jenë pa tjetër fituese për të, që “të jenë” të lira e të ndershme. Ky është kriteri, sipas tij. “Na i vodhën zgjedhjet” është bërë një lajtmotiv i shëmtuar. Veçse në “zgjedhjet” për në Asamblenë Kombëtare të PS-së, plasën kontestimet nga brenda radhëve. Po ashtu edhe në debatet e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Atij ia kanë vath në vesh sesi u shtyp dhunshëm kjo lëvizje. Me mburrjet alla-Rama, madje, në të cilat fjala “transparencë”, nga ata që s’janë naivë, është zëvendësuar me “obskurantizëm”.  Dhe fjala “demokratike” është qesëndisur, - nga ata që dinë t’ia kuptojnë fjalorin si me zëvendësim antonimesh, - “e dhunshme”. Pra, ai është bërë i pabesueshëm në atë librin e hallakatur e të pabesueshëm, ku e vërteta i është bërë KURBAN rrenës, hap pas hapi.
Ka edhe nga ata trushkulur që i mbajnë iso Ramës, pa ia kuptuar asfare atë grumbullim faqesh, që janë shitur si “Veprat” e sh. Enver, me urdhër partie...
Për këta militantë me tru të shpëlarë që në kohën e xhaxhit, miku im i hershëm, gjirokastriti Ido Çoçoli, thotë se këta  “do të shkojnë në “kadimí”. Është fjalë e rrallë, që nuk gjendet në fjalor. Për botën bimore ka kuptimin e rasatit. Në kuptimin e përgjithësuar, mund të kuptohet si “do të shkojnë në soj e në sorollop”! Doktori e ka këshilluar Idon të vejë vazhdimisht në ajrin e pastër të Liqenit, tashmë të pastruar për bukuri, paçka se ata të kadimisë e kishin helmuar njëherë me preparate kimike helmuese. Natyrisht  në kohën e kryebashkiakut Rama. Që të vinte puna gjer në tharjen fare të Liqenit, që bazamenti i tij të bëhej shesh ndërtimi në një sipërfaqe tepër të madhe, me leverdi për ish-kryetarin.
Për të mos e zgjatur më tej, mjafton të themi se ata armiq të çmendur të ekologjisë nuk janë vënë endé para bankës së akuzës. Le të vijmë sërish te tregimi i Idos. Miku im tregon se në një tavolinë të afërt me tavolinën e vet, ishte një gjirokastrit tjetër, me një shoqëri që i përshtatej mendimit të gjirokastritit propagandist të thekur të Ramës. Ky, në atë kohë, fliste me të madhe për atë bojën e gishtit, që na paskësh qenë një hile zgjedhore, sepse ajo boja dilte me një shkumë sapuni! Iso, në tavolinën tjetër. Ngrihej dhe thoshte Ido, me zë të lartë: “Ul ca, se të dëgjuam!”. Qeshnin njerëzit e të dy tavolinave.  Shpesh shkëmbeheshin replika të tilla. Secili në mendimin e vet. Pas disa muajsh, ai i kadimisë vjen të ndëzë cigaren në tavolinën e Idos, se i kishte mbaruar gazi i çakmakut. Ndërkaq Ido i pa vijën e zezë, të zbehur paksa, por që i dukej qartësisht te thoi. Ido i thotë: - Po kjo te thoi ç’është? Tjetri mbeti ngushtë. Ishte ajo e votimit! – Atëherë ti lahesh vetëm njëherë në katër muaj! Çudi si ta durojnë erën shokët e tavolinës! Tjetri u turbullua, i mbahej goja; s’dinte si të  justifikohej. Shokët e tavolinës morën pjesë në gallatë dhe filluan të zgërdhiheshin. Njëri prej tyre i tha, kur propagandisti i bojës me ujë, u kthye në vendin e vet: - Vajte për lesh, por u ktheve si qose...
Qyfyre në të dy tavolinat fqinjë. Por Edvinit nuk i skuqet faqja për nihilizmin e vet. Do të vinte edhe ai në kadimí. “Kurbani” i tij po u shëmbëllen çdo javë e më tepër “Veprave”. Këto të fundit mohuan njëra-tjetrën dhe, së fundi, u shndërruan në stoqe për brumatriçe. Por edhe Edi do të bëjë atë që kishte bërë babai i tij shpirtëror: Pasi mohoi “Refleksionet” nuk do të vonojë të mohojë edhe “Kurbanin”. Rrenat ia nxori i pari, burrërisht dhe me emra dëshmitarësh, kol. Mit’hat Avari, Kryetari i Policisë Ndërtimore dhe autori i prishjes së parkut Rinia dhe të ndërtesave bri Lanës, kur Edvini kishte detyrën e rregullimit të barit të Parkut! Replika publike dhe e argumentuar e kolonelit mbeti pa përgjigje. Tertip rremashësh që mbeten squk kur zihen “mat” për gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre që i kanë në majë të gjuhës. Tani nuk është në gjendje të bllokojë edhe “gjuhët e liga” brenda vathës, kur brenda FRESH-it po akuzohet edhe si përçarës. Ai edhe këtë huq, të përfolur qysh në vitin 2005, e shpjegon si element “kohezioni”. Mbahu, Muço, me gajret!  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›