E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandanti i Flotës Detare, Imami sqaron Topin

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka sqaruar nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Presidencës, qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket emërimit të Komandantit të Forcës Detare. Sipas shkresës së publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni theksohet se:
“Urdhri nr. 94, datë 23.01.2012 i Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e Komandantit të Forcave Detare, është revokuar. Bashkëlidhur gjeni edhe urdhrin përkatës.
Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare.

Për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve tona. Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1832 më 22.02.2005, propozoi emërimin e Komandantit të Forcës Detare, Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni. Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu me dekretin nr. 4494 më 28.02.2005, emëroi Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni, Komandant të Forcës Detare.

Në vijim, Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Nga ana Juaj nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare.

Aktualisht mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili po shqyrton oficerët për grada madhore. Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do t`iu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën “Kundëradmiral” dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përgjegjësitë administrative të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes” përfundon shkresa.
 

Emërimi i komandantit të flotës detare nga ministri i mbrojtjes Arben Imami ka ngjallur debate edhe në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të sigurisë. Deputetët e opozitës në komision e cilësuan vendimin e ministrit si të paligjshëm dhe në shkelje të hapur të Kushtetutës ndërsa kanë kërkuar edhe reagimin e Kryeministrit për këtë çështje. Sipas tyre Kushtetuta është shkelur me vetëdije të plotë, pasi është Presidenti ai i cili emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
 

I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i mazhorancës, e cila ka theksuar se në lidhje me këtë çështje është ngritur një komision nga Ministria e Mbrojtjes, i cili do të mbikëqyre dhënien e gradave. Sipas demokratëve Ministri i Mbrojtjes ka sjellë një raport se si janë dhënë këto grada, ndërsa ka deklaruar se janë të gatshëm të ngrejmë një komision për të verifikuar nëse ka shkelje ligji me emërimin e komandantit të Flotës Detare.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›