Komandanti i ISAF, Gjeneral John Allen i shpreh Kryeministrit vlerësimet më të larta për forcat shqiptare në Afganistan
Kryeministri Berisha vizitoi Shtabin e ISAF në Kabul, ku u takua me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës dhe njëkohësisht Komandant i Forcave Amerikane në Afganistan, Gjeneralin John R Allen.
Gjenerali Allen i rishprehu Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Feti Vogli. Gjenerali Allen vlerësoi kontributin dhe performancën e shkëlqyer të njësive shqiptare që veprojnë në Afganistan.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i shprehur Gjeneralit Allen mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA, miku më i madh e strategjik i Shqipërisë e kombit shqiptar, i kanë dhënë në vijimësi vendit gjatë gjithë kësaj periudhe transformimesh të rëndësishme, në veçanti mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Aleancës dhe në shumë fusha të tjera, si dhe për kontributin e paçmuar të SHBA për çështjen e drejtë të shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Republikës së Kosovës. Shqiptaret, tha Kryeministri, i mbeten përherë mirënjohës SHBA-së, qeverisë së saj e popullit të madh e mik amerikan.
Gjatë bisedës, Gjenerali Allen e informoi Kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit në Afganistan, përpjekjen e jashtëzakonshme dhe arritjet e rëndësishme të ISAF, NATO-s dhe koalicionit për konsolidimin e sigurisë, por edhe të demokracisë në vend. Gjenerali e informoi Kryeministrin Berisha për ecurinë e procesit të transformimit dhe i shprehu mirënjohjen më të thellë të tij, NATO-s dhe misionit të ISAF, por edhe SHBA-së për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mbështetur misionin e ISAF dhe NATO-n në Afganistan, për sa kohe ato e konsiderojnë të nevojshme të ofrojnë kontributin e tyre në këtë vend mik. Gjithashtu, gjenerali Allen vlerësoi si realisht bujare ofertën e qeverisë shqiptare për t’u dhënë bursa studentëve e studenteve afgane.
Gjenerali Allen i theksoi Kryeministrit Berisha se vende si Afganistani mund te përfitojnë shumë nga shembulli i shkëlqyer i Shqipërisë në reformat e suksesshme dhe luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri Berisha e ftoi Gjeneralin Allen në një vizitë në Tirane, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Në përfundim të takimit, Gjenerali Allen dhe Kryeministri Berisha bënë këto komente në lidhje me takimin mes tyre:
Gjeneralin John R. Allen: Ishte një kënaqësi e madhe që prita Kryeministrin Berisha në zyrat tona qendrore në Kabul dhe e falënderoj atë sinqerisht për kontributin e madh që Shqipëria ka bërë për misionin, por ç’është më e rëndësishmja, për lirinë dhe të ardhmen e Afganistanit. Ishte kënaqësia ime që vite më parë, në vitin ’95, vizitova Shqipërinë dhe dëgjova Kryeministrin mbi historinë e shkëlqyer të progresit të Shqipërisë dhe për anëtarësimin në NATO dhe tani si anëtar i NATO-s ka një rol jetësor në forcat ndërkombëtare të asistencës, në forcat e NATO-s këtu, në Afganistan. Ndaj ju falënderoj zoti Kryeministër për kontributin bujar të Shqipërisë në çdo aspekt të këtij misioni. I shpreha Kryeministrit dëshirën për të shërbyer bashkërisht me forcat shqiptare në këtë mision të madh për lirinë në Afganistan.
Kryeministri Berisha: Ne patëm një takim të shkëlqyer me Gjeneralin John Allen, komandantin e trupave të NATO-s në Afganistan. E sigurova Gjeneralin se trupat tona janë krenarë, shqiptarët janë krenarë që trupat tona janë nën komandën e shkëlqyer të Gjeneralit John Allen. Diskutuam gjerësisht mbi situatën në këtë vend mik dhe Gjenerali më njohu me suksesin e rëndësishëm që Aleanca ka arritur në përgatitjen e Forcave të Armatosura të Sigurisë së Afganistanit, në luftën e suksesshme kundër Al Kaedës dhe talebanëve në këtë vend, në përgatitjen e shkëlqyer që ka bërë shtabi i udhëhequr nga Gjenerali Allen për periudhën e tranzicionit të të gjitha kompetencave tek forcat afgane dhe në projektet që ekzistojnë për të garantuar këtë vend që forcat e Al Kaedës dhe talebanëve nuk mund të nëpërkëmbin më lirinë e këtij kombi, i cili ka kaluar periudha të vështira, por që meriton të ndërtojë lirinë e tij, të ndërtojë të ardhmen në liri dhe SHBA janë shumë të vendosura në këtë drejtim. E garantova Gjeneralin se Shqipëria dhe njësitë tona do të jenë në këtë vend mik, për aq kohë sa do të jenë forcat e njësisë së shkëlqyer amerikane.
***
Gjatë vizitës në Afganistan, Kryeministri Berisha u takua edhe me Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore, Gjeneral Majorin Javier Cabeza, nga i cili mori gjithashtu vlerësimet më të larta për figurën e ushtrisë shqiptare, të përfaqësuar edhe nga njësitë ushtarake shqiptare në Afganistan. Njësitë shqiptare, tha ai, ndodhen në shumë vendndodhje dhe kudo po dëshmojnë një shembull të jashtëzakonshëm përkushtimi, profesionalizmi dhe kontributi, për të cilin u jemi mirënjohës.
15/04/2012