E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Korin “Lyra” dhe personalitete të njohura të artit e sportit në qytetin e Korçës

14 prill 2012
Korçë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me anëtarë të Kabinetit, morën pjesë sot në mbrëmjen artistike të organizuar në mjediset e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë.

Aktiviteti, ku ishin të pranishëm intelektualë, artistë, sportistë, artdashës të shumtë korçarë, u çel duke i uruar Presidentit Topi mirëseardhjen dhe duke i shprehur falënderime të veçanta për rëndësinë që vetë Kreu i Shtetit i jep në vazhdimësi jo vetëm zhvillimit të Korçës, por dhe figurave të rëndësishme të artit e sportit, të cilët kanë dhënë kontribute të çmuara në këto fusha.

Duke e marrë fjalën, Presidenti Topi vuri në dukje rolin e padiskutueshëm të Teatrit profesionist “Andon Zako Çajupi”, të institucioneve të tjera të artit, por dhe të sportit, në drejtim të përgatitjes cilësore të aktorëve e sportistëve korçarë të mirënjohur kombëtarisht e më gjerë, duke u shprehur:

“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Korçës,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar zonja e zotërinj,

Më lejoni që në këtë natë të shenjtë, në prag të Pashkëve Ortodokse, dhe me këtë mjedis të mrekullueshëm, sikurse është ai i koncentratit të qytetarisë korçare, t’ju falenderoj për mikëpritjen dhe t’ju uroj të gjithëve: “Mirëse prisni këtë ditë të veçantë, që është dita e Pashkëve!” Kam ardhur këtu në Korçë për ta kaluar këtë natë së bashku, e cila sidomos në këtë qytet historik të Shqipërisë, merr një vlerë të veçantë, një qytet i cili në shekuj ka jetuar në harmoni, jo vetëm përsa i përket harmonisë fetare, por edhe harmonisë qytetare. Në këtë qytet, ku sa herë vjen, patjetër që duhet të përulesh thellë për të përkujtuar historinë e këtij qyteti, të kësaj treve, të atyre figurave historike të mrekullueshme në të gjitha lëmet e jetës, duke filluar me njerëzit e arsimit, të dijes, duke vazhduar pastaj me njerëzit e politikës, duke vazhduar me njerëzit e artit, kulturës. Dhe besoj, ajo që spikat më shumë është pikërisht qyteëtaria korçare.

Më lejoni që me këtë rast, të falenderoj nga zemra ata që janë të pranishëm sot këtu, që më dhanë mundësinë, që në bashkëpunim me ta, të nderoj disa figura, të cilat përbëjnë nderimin e radhës, pasi unë kam qenë dhe herë te tjera këtu, në këtë qytet. Dhe jam i bindur që Institucioni i Presidentit të Republikës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pavarësisht se kush është në atë institucion, të nderojë papushim do të thoja, figurat që vijnë nga treva e Korçës, por edhe nga e gjithë Shqipëria, që sidomos në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë, marrin një vlerësim të veçantë.

Unë kam ndjekur me shumë emocion historikun e Korit ‘Lyra’. Juve, pjesa më e madhe e të cilëve keni lindur dhe jetuar në Korçë, natyrisht keni emocione shumë specifike. Por të njëjtat emocione ndajmë edhe me të tjerët. Jemi rritur me ato melodi dhe këngë të mrekullueshme. Së pari, jemi edukuar me këngët për atdheun, për mëmëdheun. E dyta, jemi mësuar që të duam pikërisht mëmëdheun tonë, influencuar shumë edhe nga këto këngë. Jemi mësuar të dëgjojmë këngë për natyrën, që ata i kanë kënduar në mënyrë të mrekullueshme, këngë për dashurinë, këngë për të gjitha vlerat që ka jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria. Kështu që është një nder i jashtëzakonshëm që më jepet mua, që ta vlerësoj Korin ‘Lyra’, pikërisht në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, të cilët janë ta pandarë pikërisht nga ky eveniment i jashtëzakonshëm, të pandarë sepse kanë ditur të këndojnë shumë bukur këngë për mëmëdheun, himnin kombëtar, dhe të gjithë atë pasuri, të cilën ne patëm mundësi që t’i shikojmë, duke e përtërirë këtë kor, duke e gjeneruar me mosha të reja, me vlera të reja. Dhe jam i bindur që ky kor do të jetojë në shekuj. Unë kam rastin sonte që të vlerësoj dhe disa figura të nderuara të artit, të sportit. Ata s’kanë nevojë të komentohen, sepse jeta e tyre kaloi në mënyrë të shpejtë në atë memorie do të thoja.

Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë, sepse i kanë dhënë Korçës, por dhe gjithë Shqipërisë, një vlerë të jashtëzakonshme, secili në pozicionin e tij. Dhe ata meritojnë të vlerësohen, duke filluar me Jani Kaçin. Jani Kaçi, i cili mbetet një figurë shumë e dashur, dhe Jani Kaçi nuk i takon vetëm Korçës, është rritur këtu, është lindur, rritur në Korçë, i takon gjithë Shqipërisë, sepse ai ka luajtur me ekipe të ndryshme, por ka përfaqësuar ekipin kombëtar me shumë dinjitet. Për të vazhduar pastaj me Pavlina Evron, me të ndjerin zoti Kasati, me Lindita Theodhorin, me Zamira Kitën, të cilët, patjetër, ndoshta Lindita ka lindur në Fier, ka jetuar në Korçë, ka jetuar në Tiranë, ka jetuar jashtë Shqipërisë, ka vendosur të jetojë në Vlorë, por emblemën mesa duket, e ka korçare.

Pra, më lejoni që në përfundim të fjalës sime të shkurtër, së pari të vlerësoj institucionet e Korçës, të cilat bënë të mundur që në komunikimin me Institucionin e Presidentit, të bëjnë propozimin për nderimin e këtyre figurave të shquara, jo vetëm të qytetit të Korçës, por të mbarë Shqipërisë. Së dyti, edhe njëherë, u uroj të gjithë qytetarëve korçarë, në radhë të parë bersimtarëve ortodoksë: “Gëzuar Pashkët!” dhe të gjithë së bashku ta festojmë këtë ditë të madhe!

Së fundi dëshiroj të them që vlerësimi për figurat e ndritura të qytetit të Korçës duhet të vazhdojë. Dhe i propozoj Kryetarit të Bashkisë të Korçës që të vazhdojë, por edhe përmes institucioneve të tjera, të vazhdojmë së bashku të nderojmë. Asnjëherë ne nuk do ta teprojmë të nderojmë figurat, të cilat kanë kontribuar shumë për emrin e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Asnjëherë nuk e teprojmë ta bëjmë këtë vlerësim. Është gjëja më minimale që mund të bëjmë për ata protagonistë të jetës së arsimit, kulturës, sportit, dhe besoj që, është momenti që të japim një duartrokitje për të gjithë ata!”

Më pas, vijoi ceremonia e dekorimeve, ku, pas ekzekutimit të himnit tonë kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse, Presidenti Topi u dorëzoi dekoratat personaliteteve të mirënjohur të qytetit të Korçës e të mbarë vendit, duke i nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, përkatësisht: Zonjën Zamira Kita, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në artin skenik shqiptar, nëpërmjet interpretimit të roleve që shquhen për individualitet dhe origjinalitet artistik, duke afirmuar vlerat më të arrira si artiste”; Llazi Serbo (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të çmuar si aktor i filmit dhe teatrit, i cili realizoi një sërë rolesh të rëndësishme që spikatën për plastikën dhe individualitetin artistik, në skenën dhe kinematografinë shqiptare”; zotin Jani Kaçi, me motivacionin: “Për merita të mëdha në zhvillimin e sportit të futbollit, veçanërisht si portier i ekipit të “Skënderbeut”, por edhe si trajner, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit korçar dhe atij kombëtar”; zonjën Lindita Theodhori, me motivacionin: “Këngëtares së mirënjohur që ka një kontribut të çmuar në interpretimin mjeshtëror të këngës shqiptare, në mënyrë të veçantë të këngës burimore të krahinave jugore të vendit”; Piro Kasati (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në atletikë dhe për veprimtarinë e tij, gjatë karrierës sportive dhe akademike, për të përgatitur me dhjetëra atletë të rinj, duke sjellë vlera të padiskutueshme në sportin shqiptar”; zonjën Pavlina Evro, me motivacionin: “Atletes së mirënjohur e cila gjatë aktivitetit të saj sportiv u shqua për rezultatet e jashtëzakonshme dhe thyerje rekordesh, brenda dhe jashtë vendit, duke nxjerrë në pah meritat e saj si sportiste e talentuar”.

Gjithashtu, Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, Korin “Lyra”, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore të Korçës dhe të gjithë vendit, nëpërmjet interpretimit dhe përhapjes së këngës tradicionale qytetare, veçanërisht atyre patriotike, që edukuan brezat me dashuri për atdheun dhe frymëzuan rritjen e ndjenjës kombëtare”.

* * *

Në mbrëmje vonë Kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi mori pjesë në ceremoninë fetare në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” ku u përshëndet e u takua përzemërsisht me qytetarë e besimtarë të shumtë korçarë, të cilët kishin dalë në qendër të qytetit për të festuar Pashkët e për të uruar njëri-tjetrin në çastin më simbolik fetar, në mesnatë, ngjalljen e Jezu Krishtit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›