E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron Festën e Pashkëve ortodokse nga qyteti i Korçës

15 prill 2012
Korçë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarët e Kabinetit, në ditën e dytë të qëndrimit në qytetin juglindor të vendit me komunitet të gjerë ortodoks, në Korçë, zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë me rastin e Festës së Pashkëve, ku u prit përzemërsisht nga Mitropoliti i Korçës, dhe njëkohësisht një nga krerët e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Imzot Joan Pelushi dhe nga përfaqësues të tjerë të bashkësisë ortodokse.

Në një atmosferë festive pashkësh në Korçë, me banderola me urime paskale dhe objekte kulti të zbukuruara e të vendosura nëpër rrugët qendrore të qytetit, Kreu i Shtetit u përshëndet përpara Selisë së Mitropolisë së Shenjtë, me besimtarët ortodoksë korçarë dhe banorët e tjerë të ardhur dhe nga zonat përreth, duke u uruar Festën e Pashkëve.

Me këtë rast, Kryetari i Shtetit shprehu urimet më të ngrohta e të përzemërta për të gjithë besimtarët shqiptarë në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse, duke theksuar se nëpërmjet festimit të Pashkës, ngjarjes më solemne dhe më të nderuar të Kishës, jepen mesazhe të rëndësishme të vlerave të patjetërsueshme të jetës njerëzore, jo vetëm për më shumë shpresë dhe tolerancë me njëri-tjetrin, por dhe për më shumë besim tek realizimi i aspiratës integruese evropiane të shqiptarëve.

Nga ana e tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan Pelushi, pasi shprehu mirënjohje për vizitën e vetë Kryetarit të Shtetit me rastin e Festës së Pashkëve, nënvizoi mes të tjerash se “Kremtimi i Pashkës, i të vërtetës themelore e besimit të krishterë, e cila përkujton Ngjalljen e Jezu Krishtit, tregon se Zoti e mundi vdekjen duke risjellë jetën, duke bërë që gëzimi e shpresa të jenë përsëri pjesë e njerëzve”.

Pas vizitës në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë, Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme: “Përshumëvjet dhe gëzuar këtë ditë të shenjtë! Unë dëshiroj që këtu nga Korça të uroj besimtarët ortodoksë, jo vetëm ata të Korçës, por të gjithë Shqipërisë: gëzuar këtë ditë të madhe që është një ditë shumë e veçantë në botën e krishterë! Besoj që është dita e ringjalljes, dhe mbi të gjitha mbi këtë term kaq të gjerë, ringjallje, unë do të uroja që të ringjallim kudo shpresën për një ditë më të mirë! Tek çdo njeri, tek çdo shoqëri ka nevojë që të ketë më shumë optimizëm për ditën që vjen. Dhe besoj që ky mesazh që vjen nga kjo filozofi e krishterë është shumë domethënës, sidomos për ata që kanë fatet e tjerëve në dorë, për ata që merren me politikën, me institucionet dhe kjo ditë është për të reflektuar së pari për njerëzit që janë më në hall, më në nevojë. Dhe ky apel është për institucionet, për politikën, por është edhe për njerëzit që janë në gjendje të mirë që ta kthejnë vështrimin tek ata që janë më dobët. E dëgjova mbrëmë me shumë interes mesazhin në mesnatë. Ishte një mesazh që i kapërcen, do të thoja ato kufijtë tradicionalë të mesazheve fetare dhe futet pikërisht në atë që ka nevojë realiteti i sotëm që mesazhi që vjen nga feja të përcillet në realitetin konkret. Dhe më vjen mirë që në këtë qytet ku Pashkët festohen më mirë se kudo tjetër, pashë një popull që e kam parë gjithmonë pavarësisht nëse janë të përkatësisë fetare të krishterë apo mzslimanë, që ishin të gjithë së bashku. Dhe ky është mesazhi më i mirë që flet vetë dhe shpërndahet rrufeshëm kudo. Edhe njëherë ju uroj këtë ditë të bekuar! Paçim gjithmonë ditë të mira sikurse kjo që po përjetojmë sot!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›