E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të mediave në Korçë

14 prill 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, menjëherë pas përfundimit të ceremonisë së dekorimeve në Teatrin “Andon Zako Çajupi” iu përgjigj interesimit të përfaqësuesve të shumtë të mediave në Korçë.

Pyetje:Zoti President, sapo keni përfunduar ceremoninë e dekorimeve të personaliteteve të shquara të qytetit. Si ndiheni?

Presidenti Topi: Natyrisht asnjëherë nuk mjafton vlerësimi për gjeneratat e jashtëzakonshme të personaliteteve të dijes, të artit, të kulturës, të njerëzve të sportit, të atyre që i kanë dhënë vlerë këtij qyteti, por që në të njëjtën kohë i kanë dhënë vlerë gjithë Shqipërisë. Është një emocion i veçantë, sepse çdo dekorim që bëhet, çdo vlerësim që bëhet, aq më shumë kur bëhet në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, patjetër që duhet të kujtojmë të gjithë ata, të cilët sigurisht nuk e bënë veprën e tyre për t’u vlerësuar me dekorata, por e bënë sepse ishte pjesë e qenies së tyre.

Dhe unë jam i bindur që në prag të një nate të madhe, sikurse është nata në vigjilje të Pashkëve ortodokse, besoj se i shtohet një element tjetër bukurisë së këtij qyteti mjaft të veçantë sikurse është edhe Korça.

Pyetje: Zoti Topi, a do të mblidhet nesër Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nëse po, a ka baza ligjore që të votohet propozimi për nënkryetar të KLD-së të Elvis Çefës?

Presidenti Topi: Së pari ju kujtoj që nesër është e dielë. Dhe nesër ne kemi Pashkët. Të hënën KLD-ja do të mblidhet. Është paralajmëruar një mbledhje e KLD-së. Natyrisht që ka një rend dite të përcaktuar dhe do të njoftohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë për zgjedhjen e zotit Çefa si anëtar i KLD-së nga Parlamenti. Është detyrim i atij institucioni për t’ua bërë të njohur anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pikërisht zgjedhjen që i është bërë nga Parlamenti zotit Çefa si anëtar i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pyetje:Mendoni se zgjedhja e zotit Çefa si anëtar i KLD-së e ka tensionuar situatën politike dhe tashmë kemi hyrë sërish në pikën zero?

Presidenti Topi:Unë nuk besoj që më takon të bëj komente për ngjarjet në Parlament. Sigurisht që më takon të them që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ndjekë pikërisht ato rregulla të qarta që bazohen në Kushtetutë dhe në ligj. Kështu që në mbledhjen e ditës së hënë, ne do të vazhdojmë normalisht duke njoftuar emërimin e anëtarit më të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe pastaj do të procedohet me zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ju kujtoj që momenti për propozimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është një e drejtë kushtetuese e Presidentit dhe do të jetë një nga anëtarët aktualë të Këshillit të Lartë të Drejtësis. Gëzuar!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›