E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandanti i marinsave shqiptarë kandidatët për deputet në parlament

18/06/2005  Portret i konkurentit të PD-së në Kukës Fatos Hoxha

Fatos Hoxha, komandanti i parë i trupave komando shqiptare, sot kandidat për deputet në zonën 12, Kukës, i Partisë Demokratike, vjen në këtë kandidim pas një përvoje të lakmueshme në karrierë.

U lind në qytetin e Kukësit, më 22 tetor 1961. Në këtë qytet kreu shkollën 8-vjeçare “Bajram Curri”. Vazhdoi shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Pas saj kreu Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, dega zbulim me rezultate të shkëlqyera. Në vitet postkomuniste 1992-1994, kryen Akademinë e Luftës në Turqi, ku specializohet në forcat speciale. Ende edhe sot e kësaj dite fotografia e tij vazhdon të kryesojë të gjithë të dalluarit që kanë kryer këtë akademi turke. Në vitin 1996, specializohet në forcat speciale amerikane–Ranger Florida SHBA. Pas shkollës së lartës ushtarake, në vitet 1984–1990 ka punuar shef zbulimi brigade dhe divizioni. Në vitet 1990–1991 ka qenë komandant i truprojës së nderit të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1991-1992, ka komanduar batalionin e zbulimit.

Në vitet 1994–1997 emërohet komandant i forcave speciale dhe i brigadës “Komando” të Shqipërisë. Kjo kohë shërbeu që të afirmohet si ushtarak i lartë e i shumëpërgatitur. Në këto vite shkollimi e detyre, ai lidhi miqësi me ushtarakë të lartë të NATO-s si kolonel Natonski, komandant i marinsave të Flotës së Gjashtë Amerikane. U shqua dhe u lavdërua nga amerikanë, turqit e britanikët, sepse e njohën nga afër edhe në stërvitjet e përbashkëta në vitet 1994-1996.

Pas vitit 1997, Fatos Hoxha jep dorëheqje të parevokueshme nga detyra dhe ka punuar për 8 vite bashkë me bashkëshorten e tij. Në vitin 2001 zgjidhet kryetar i forumit të “Ushtarakëve Euroatlantikë”. Pas 8 vitesh larg profesionit, Partia Demokratike e ka caktuar kandidat për deputet në Kukës.

Energjik, trupmadh, tipik një kuksian, që nuk ndalet. Ky është në pamjen e parë Fatos Hoxha. Më shumë ecën në këmbë se me makinë. Dialekti i tij ndonëse ka 30 vjet që ka ikur nga Kukësi, ruan nuanca të qarta i të qenit lumjan. Një karrierë brilante në ushtri i bën krenarë dhe ushtarakë të tjerë jo vetëm nga Kukësi, por nga gjithë Shqipëria që starton në politikë komandanti i parë i marinsave shqiptarë. Fidanishtja e trupave komando që ai mbolli e rriti, sot është krenaria e shqiptarëve, që ngrë flamurin shqiptar në misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan e Bosnje. E veçanta e parlamentit të ri përveç të tjerave është se do të këtë dhe një parlamentar ish-ushtarak, që në një moment të vështirë, kur jeta e tij dhe e ushtarëve të tij, kur ekzistenca e institucioneve shtetërore, ishin në fije të perit, Fatos Hoxha nuk u dorëzua. Ky njeri që mbajti të pashkërmoqur të vetmin repart ushtarak në Shqipëri, që pas ndërrimit të pushtetit u hodh në rrugë, por që ai nuk mbeti njeri i rrugës, por i punës dhe i djersës së ballit, krenar sot pretendon një karrige në parlamentin e ardhshëm, për t’u bërë një avokat i kuksianëve, të cilëve deputetët deri tani u janë kthyer në prokurorë të tyre.

Takimet

Shpresoj në një vëmendje të veçantë të qeverisë së re demokratike, vijon Fatos Hoxha të flasë lirshëm e shpengueshëm me qyetarë të ndryshëm të Kukësit, qytetarë që i bashkon halli i mosvëmendjes së shtetit ndaj tyre. Nuk do të ketë derë që të më mbyllet për hallet dhe problemet e Kukësit, vazhdon ai. Shpresoj se diçka do të ndryshojë për mirë dhe për Kukësin. Ndershmëria ime, liria ime, pavarësia ime, garancia që kam nga kryeministri i ardhshëm, Sali Berisha, përbëjnë sigurinë time në këto zgjedhje thotë ai.

Njeriu i identifikuar me marinsat shqiptarë, trupat komando shqiptare, krijuesi i kësaj strukture ushtarake të suksesshme në Shqipëri, miku i gjeneralëve të Aleancës Atlantike, prindi shembullor, qytetari dhe ushtaraku dinjitoz, njeriu që di të mbajë fjalën e besën, njeriu që nuk di të jetë i vogëlsirave, njeriu që nuk ka asnjë borxh dhe nuk është peng i askujt, më në fund ka vendosur që të ndryshojë profesion dhe të hyjë në politike me shumë cilësi e virtyte, të cilat i trashëgon nga rroba e gjelbërt. Zbatimi i ligjeve, përkushtimi ndaj votuesve dhe vendit, si përkushtimi i luftëtarit ndaj atdheut, papajtueshmëria me të keqen që ka mbuluar jo pak Kukësin në këto vite, e bëjnë kolonelin e dikurshëm, që më në fund të hedhë dhe një gurë në disiplinimin e kësaj politike shkatërraqe e të pandershme, që i ka kushtuar jo pak vendit, por sidomos Kukësit që e kanë lënë krejt pasdore. Fatos Hoxha është një përzgjedhje direkte e Sali Berishës dhe në pak ditë Hoxha ka arritur të unifikojë njerëzit e shpërndarë në Kukës.

Biri i një traktoristi, që për herë të parë me thikën e traktorit të tij hodhi themelet e ndërtimit të qytetit të ri të Kukësit këtu e 42 vite më parë, këmbëngul se ky qytet ka ende nevojë për të, ka nevojë për djersë e punë, për përkushtim në shërbim të këtyre njerëzve, shumë të njohur në botë, por të harruar me dashje nga politika dhe qeveria në Shqipëri. Qindra të rinj që në Kukës mbajnë bluzat me emrin e tij dhe dhjetëra veteranë të luftës, që për herë të parë respektohen për luftën e bërë nga një ushtarak dinjitoz, janë me shpresa të ndezura se, më në fund, dikush do të flasë për ta, do të mendojë për ta, jo sa për t'ua marrë votën. Jo vetëm kaq, por dhe socialistë të patundur, nuk hezitojnë që hapur t’i deklarohen me votën e tyre Fatos Hoxhës. Kjo cilësi dhe mosdiferencimi i njerëzve për bindje politike, është një tjetër virtyt i një njeriu, që kërkon të sfidojë një realitet të hidhur në politikë. I një njeriu që kërkon vlerësim e rivlerësim të njeriut punëtor, pa parë militantizmat, por vetëm aftësitë e ndershmërinë e njerëzve.

Premtimet

Fatos Hoxha pretendon që ta përqëndrojë vëmendjen në Kukës. Një rrugë e premtuar që do ta lidhë me Kosovën, rruga Milot–Kukës–Morinë, por që në fakt po zgjat agoninë e kuksianëve me gërr-mërret e një fadrome, diku pranë Milotit, në luginat e Fanit, që ndizet sa herë që kalon ndonjë makinë qeveritare aty pari, janë një rrënim i Kukësit dhe i lidhjeve mes shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Kjo rrugë dhe vetëm kjo rrugë është sfida e plaformës elektorale të Fatos Hoxhës, është shtylla kurrizore e kësaj platforme. Unë e di, thotë ai, se deputeti nuk bën rrugë, por di se deputeti avokaton fuqishëm hallet e popullit, deputeti lobon struktura, vë në lëvizje struktura dhe nëse nuk lodhet, deputeti gjen shokë e mbështetje për projekte madhore, që u shërbejnë shqiptarëve. Për të, kjo rrugë është një siguri, një vlerësim, një realitet që bëhet, vetëm nëse dëshira është e sinqetrë dhe jo lajkatare si e socialistëve.

Hoxha thotë se ka marrë garancinë e duhur në plaformën e partisë së tij që kjo rrugë do të bëhët sepse kjo rrugë punëson shqiptarët, duke u bërë kantier ndërtimi, duke çelë shumë dyqane, magazina e aktivitete anash saj, kjo rrugë pasuron shqiptarët, sepse qinda mijëra turistë nga Kosova për dy e tri orë vijnë në bregdetin shqiptar e turizmi është minierë floriri për shqiptarët, kjo rrugë lidh dhe integron shqiptarët, dyfishon tregun shqiptar. Fatos Hoxha thotë se Kukësi do të jetë prioritet i politikës së ardhshme, që arsimi e shëndetësia do të janë primare, që Kukësi prodhimtar i dritave nuk do të jetë vendi i territ, që Kukësi përherë me kokën e kthyer nga Kosova të jetë një pikë kyqe e lidhjes mes shqiptarëve. Kuksianët e varfër të mashturar keqas nga një kartëmonedhë 1000 lekëshe, apo nga një thes miell për fëmijët e uritur, do të jenë dinjitozë në vendin e tyre, në hapësirat e programit të Partisë Demokratike e Fatos Hoxhës.

Ky njeri i sprovuar në kohë të vështira, nuk ia fal talljen që ka bërë paraardhësi i tij me fytyrat e zverdhura dhe njerëzit e shkurtër nga kequshqyerja në Zapod.

Nuk ia fal mashtrimin për ndërtim të fabrikës së patatinave që u bëri kuksianëve, për ndërmarrjen e madhe të rrobaqepësisë që premtoi për të punësuar kuksianet.

Fjala, se po më gënjeve për të tretën herë, është faji im, është proverbi më i mirë për kuksianët, të cilët nuk duhet ta harrojnë kësaj radhe në këto zgjedhje politike dhe nuk duhet të mashtrohen nga piramida mashtrimesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›