E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen kreu i komisionit të konkurencës

18/06/2005  Zef Preçi kandidon për Partinë Socialiste

Kryetari i Komisionit të Konkurencës Zef Preçi, deklaroi dje dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti që mban. Në kërkesën e tij për dorëheqje, të paraqitur Kryetarit të Kuvendit, Preçi thotë se e merr këtë hap për shkak se është kandidat për deputet për Partinë Socialiste. Ndaj në respektim të kodit të etikës, ai ka kërkuar të lirohet nga detyrimet për postin që mban. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se kreu i Kuvendit ka pranuar dorëheqjen, duke vendosur nënkryetarin e këtij komisioni, Lush Përpalin, si drejtues të përkohshëm. Preçi mban titullin doktor i shkencave ekonomike dhe drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Komisioni i Konkurrencës është një institucion shtetëror me varësi të drejtpërdrejtë të parlamentit, i cili merret me studimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve të ndryshme dhe sqarimin e elementëve të konkurrencës dhe monopoleve të mundshme në to. Kryetari i këtij komisioni miratohet dhe shkarkohet me vendim të shumicës së deputetëve të parlamentit. Ky komision ka nisur punën vetëm dy vjet më parë, ku kryetar me konsensusin e palëve është vendosur Zef Preçi që më parë ka mbajtur dhe detyrën e këshilltarit të Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›