E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombësia firmoset dhe në Durrës

Tubimi i Aleancës Kuq e zi në Durrës

Aleanca Kuq e zi ka qenë paraditen e së mërkurës në Amfiteatrin e qytetit të Durrësit, në kuadrin e turit të saj kombëtar kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike.Dhjetëra e qindra qytetarë, mes tyre dhe intelektualë të qytetit bregdetar, i janë bashkuar nismës kundër regjistrimit të popullsisë për të deklaruar kombësinë dhe fenë. Flamuri gjigant u shpalos në shkallët e amfiteatrit, duke ngjyrosur monumentin e kulturës, në të cilin u organizua dhe firmosja e peticionit. Drejtues të kësaj aleance, si dhe personalitete të shoqërisë civile kanë argumentuar kundërshtimin e tyre për regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ka qenë i pranishëm gjatë firmosjes së peticionit në Amfiteatrin antik të Durrësit, është shprehur se fushata e ndërgjegjësimit do të vijojë. Ne nuk do të lejojmë që flamuri ynë të ndotet dhe as do të lejojmë që të cenohen simbolet e kombit tonë, tha Spahiu. Ndërsa ka pohuar se më i rëndësishëm se pushteti është shteti dhe për këtë cilësia e shtetit duhet të ndryshojë. Më thanë ndërprit nismën e Aleancës Kuq e Zi. Por për mua më i rëndësishëm se pushteti është shteti. Cilësia e ndërtimit të shtetit nuk duhet të ndryshojë, tha Spahiu. Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi deklaroi se ky regjistrim popullsie nuk i shërben aspak interesave kombëtarë, i cili ka vetëm mbështetjen e qarqeve antikombëtare, të cilat kanë 20 vjet që synojnë shtrembërimin dhe rritjen artificiale të kombësive të tjera në Shqipëri. Më tej, Xhufi vijoi duke thënë se kjo aleancë do të shërbejë si shkollë riedukimi për klasën e politikës shqiptare. Sipas përfaqësuesit të Aleancës Kuq e zi, Endrit Shabani, deri më tani rezulton se janë mbledhur 20 mijë firma, të cilat sigurojnë ndërmarrjen e një nisme ligjore. Megjithatë, sipas, tij nuk do të ndalen në këtë pikë, pasi synimi është mbledhja e 50 mijë firmave në peticion. Përfaqësuesit e Aleancës thanë dje nga Durrësi se janë rreth 20 mijë personat që u jepet pension prej 300 eurosh në muaj nga shteti grek. 3000 vjet kombësi nuk ndryshojnë për 300 euro, kombësia nuk falsifikohet, theksuan ata. Nisma e Aleancës Kuq e zi në Durrës u përkrah nga artistë dhe intelektualë të cilët nënshkruan peticionin dhe kanë qëndruar pranë organizatorëve në këtë tubim. Firmosja e peticionit nisi nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, për të vazhduar në të gjithë qytetet, pikërisht në zonat me rëndësi historike dhe identifikuese të kombit shqiptar. Qëllimi i saj është rrëzimi i ligjit për gjendjen civile, sipas të cilit qytetarët duhet të vetëdeklarojnë kombësinë e tyre dhe besimin fetar.

Ligji i Gjendjes Civile, në Kushtetuese

Tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për shfuqizimin e Ligjit të ri të Gjendjes Civile, pikërisht në pikat ku kërkohet që qytetarët të bëjnë deklarimin e kombësisë dhe të fesë. Kryetari i Gjykatës së Sarandës, dy muaj më parë, duke argumentuar se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e duke shfrytëzuar një padi në gjykatë për njohjen e kombësisë greke dhe jo-shqiptare të një shtetasi, kërkon zgjidhjen e çështjes nga gjyqtarët e Kushtetueses. Me të njëjtin argument është dorëzuar dhe kërkesa e kryegjyqtarit të Përmetit pak javë më vonë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›