KiE dërgon dy misione monitorimi për zgjedhjet e 8 majit

Këshilli i Evropës ka vendosur të dërgojë një mision parazgjedhor dhe një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 majit në vendin tonë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale (KALR) të Këshillit të Evropës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së qeverisë shqiptare që KALR i KE-së të dërgojë një mision vëzhgimi për zgjedhjet e 8 majit 2011.
Në letrën e tij Sekretari i Përgjithshëm zoti Andreas Kiefer falenderon Ministrin e Jashtëm zotin Haxhinasto për ftesën dhe e informon se KALR i KE-së ka vendosur të dërgojë një mision parazgjedhor dhe një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 majit 2011, me antarë të Kongresit.
Qeveria shqiptare ka ftuar zyrtarisht Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale e KE-së dhe OSBE/ODIHR për të dërguar mision vëzhgimi sa më të gjërë me qëllim sigurimin e transparencës maksimale të procesit zgjedhor ku roli i këtyre organizatave të specializuara është vendimtar në certifikimin e standarteve zgjedhore.
Qeveria shqiptare zyrtarisht dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka kërkuar organizatave ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë angazhimin maksimal të vëzhguesëve duke siguruar nga ana tjetër vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të kontribuar në arritjen e standarteve më të larta zgjedhore të përcakuara nga Këshlii i Evropës dhe OSBE.