Thirrjet antishqiptare, Greqia tërheq konsullin nga Korça
Tiranë- Në kohën kur u duk se jehona e deklaratave aspak diplomatike të konsullit grek ishte zbehur, mediat greke bëjnë me dije se qeveria greke ka tërhequr Theodhoros Ikonomu nga Korça. Ky njoftim bëhet i ditur në faqen zyrtare të organizatës SFEVA, e njohur për qëndrimet ekstremiste, mbi të ashtuquajturën kauzë të Vorio Epirit, për t’u pasqyruar më pas nga mediat. Ndërkohë, burime zyrtare pranë Konsullatës së Korçës konfirmojnë këtë lajm për gazetën “MAPO”, duke shtuar se procedurat e largimit zgjasin 1 deri në 2 javë. Sipas tyre, lajmi në fjalë është bërë i ditur vetëm pak ditë më parë, kur zyrtarë të Athinës i kanë konfirmuar Konsullit Ikonomu, largimin e tij nga posti që mbante, por duke mos bërë të ditur arsyet zyrtare të largimit.
Sipas faqes zyrtare të SFEVA-s, Qeveria Greke ka tërhequr konsullin Theodhoros Ikonomu, pas reagimeve dhe notë-protestave të qeverisë shqiptare. Ndërkohë, vetë SFEVA bën të ditur se lajmi në fjalë është shumë i sigurt dhe i marrë nga burime konfidenciale, pranë Ministrisë së Jashtme Greke, por sipas saj, askush nuk e ka konfirmuar në mënyrë zyrtare një lajm të tillë. Lajmi për tërheqjen e Konsullit, Ikonomu, është përhapur me shpejtësi në disa media të shtetit fqinj, të cilat bëjnë të ditur se arsyeja e largimit, tashmë dihet dhe ka të bëjë me deklaratën e tij në 20- vjetorin e OMONIA-s së Korçës, kur deklaroi se Korça është Greqi. Kjo deklaratë e tij nuk u prit mirë nga ana e Shqipërisë, madje pati dhe një reagim zyrtar nga ana e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, e cila thirri në një takim urgjent Ambasadorin grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, duke i kërkuar shpjegime në lidhje me këtë deklaratë. Nga ana tjetër, edhe Athina zyrtare reagoi për këtë çështje, duke e quajtur një deklaratë personale nga ana e Konsullit. Një javë më parë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, Jorgos Delavekuras, bëri të ditur se ngjarje të tilla nuk duhet të zmadhohen. “Marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë janë marrëdhënie të një rëndësie strategjike për ne, janë marrëdhënie në të cilat kemi vërtetuar që gjendemi pranë Shqipërisë, në hapat që bën ndaj Bashkimit Europian, këtë qëllim të rëndësishëm që ka mbarë populli shqiptar dhe të cilën mbështet Greqia. Nuk duhet që të gjejmë arsye për të zmadhuar ngjarje, me qëllim krijimin e disa përshtypjeve. Bashkëpunimi ynë është i vazhdueshëm, bashkëbisedimet, takimet, dialogu është i vazhdueshëm dhe kështu duhet të trajtohet. Është e rëndësishme që edhe nga pala shqiptare, minoriteti etnik grek, të shihet edhe ai si urë e miqësisë dhe bashkëpunimit që ju thashë”, – u shpreh ai. Mediat greke shkruajnë në artikujt dedikuar konsullit Ikonomu se kjo nuk ishte hera e parë, që deklaratat e tij shkaktonin konflikte në qytetin e Korçës. Sipas tyre, Ikonomus, si asnjë konsull gjatë 20 viteve të fundit, hapi publikisht një konflikt me degën e “Omonia”-s në Korçë, duke akuzuar kryetarin e asaj kohe për mitmarrje dhe shantazhe. Referuar të njëjtës media, thuhet se Ikonomu, me ndërhyrjen e tij në atë kohë, arriti të heqë nga posti kryetarin, duke emëruar një kryetar tjetër. Në fund të shkrimit të saj, mediat shprehen se këto arsye, por edhe disa konflikte të tjera, bënë që Konsulli grek i Korçës të kryejë lëvizje që nuk përputhen me bashkimin e minoritetit grek.