E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombet dhe fqinjët

Dihet mirëfilli se ashtu sikundër njerëzit nuk mund të jetojnë vetëm e të veçuar, ashtu edhe kombet nuk mund të jenë dhe të qëndrojnë larg njëri-tjetrit. Ata jetojnë jo vetëm pranë e pranë, por edhe në bashkësi, me fqinjët dhe me ata që janë përtej kufijve të atyre. Zhvillimet tërësore dhe prirjet e sotme për një botë paqësore dhe miqësore janë përkrahje e dukshme e dëshirave dhe e synimeve të kombeve për paqe dhe miqësi. Shembull i qartë janë vendet nordike! Sikundër dashuria midis njerëzve është ndjenja më e bukur prej të cilës mund të burojnë mirësia dhe mbarësia e jetës së tyre, po ashtu edhe harmonia e dashuria midis popujve dhe kombeve, kulturave dhe qytetërimeve, mund të jenë hapësira të dëshirueshme, jetësore dhe të këndshme mbarëbotërore, për të gjithë, për të tashmen, e sigurisht ca më shumë për të ardhmen.

E vërteta është se shokët dhe miqtë mund t’i zgjedhim vetë, madje edhe më të mirë se vetja. Miqësia e sinqertë ndikon në jetën dhe në punën tonë të përditshme, në përparimin e zhvillimin vetjak e familjar, në gëzimet dhe në hidhërimet tona. Por fqinjët nuk i zgjedhim dot! Jemi të detyruar që, për hir të mirësjelljes e të mirësive, të mbarësive dhe përparimit të ndërsjellë, t’i pranojmë dhe të na pranojnë ashtu si janë dhe si jemi, ngado e të çdo sëre e niveli shoqëror. Thjesht janë fqinjët tanë kohëshkurtër apo kohëgjatë. Si të tillë, një mirëkuptim miqësor është më së paku, qetësi shpirtërore, përveç asaj që jemi të gjendshëm për njëri-tjetrin, për pak bukë e për pak kripë, në të mirë e në të keqe.

Pa mëdyshje është e pranueshme kur fqinjin, më së pari nuk e ke smirëzi e keqdashës dhe ca më e pëlqyeshme kur e ke mik, mik me kuptimin e vërtetë dhe të plotë të kësaj fjale. Në përqasje dhe në ngjasim me këtë, edhe shtete, popuj dhe kombe të ndryshme, kanë bashkëjetuar dhe, duan s’duan, do të bashkëjetojnë për aq sa të jetë bota, me fqinjët që kanë në kufi. Me keqardhje mund të themi se e kaluara historike e fqinjësisë në botë nuk ka qenë e pëlqyeshme, për t’u shprehur butë. Smirat e lakmitë, deri në luftëra, janë pjesa më e shëmtuar dhe më tragjike e kësaj historie. Dhe kjo histori e fqinjësive në botë është pjesë e rëndësishme e historisë botërore. Tani një numër i madh njerëzish, shumë organizma dhe institucione ndërkombëtare bëjnë përpjekje, pa përmendur shpenzimet, që ajo e kaluar e dhimbshme të mos përsëritet më. Është vërtet një ndërmarrje tejet e vështirë ngaqë ka paqebërës dhe paqeruajtës, por ka edhe paqeprishës dhe luftënxitës, pikërisht tani që mbarë njerëzimi, kombet bashkë apo veç e veç, kanë nevojë për paqe e qetësi, për miqësi të çiltër, pa prapamendime ligësore.

Nuk mund të jetë mik ai që bërtet me zë të lartë, me shumë zhurmë e trompeta, për miqësi, ai që shpall se është i dashur dhe i dhembshur, i përkujdesur e dashamir, ndërkohë kur heshtazi a fshehurazi dhe tinëzisht, i vë tjetrit një minë me sahat jo vetëm te pragu i shtëpisë, por edhe në vatër. Nuk mund të mohohen, apo ca më keq të harrohen, bashkëpunimi, ndihmat e bamirësitë e ndërsjella. Në raste të tilla mirënjohja është shprehja fisnike e një populli, e një kombi. Është i nderuar ai që historikisht e ka dëftuar dhe e ka provuar këtë shpirt fisnik.

Ka vlerë kur i pret e i përcjell me nderime e me bujari, me dashuri e miqësisht përfaqësuesit e kombeve të tjera, pavarësisht nga janë, të largët apo fqinj, pavarësisht nga niveli që kanë. Mjaft që të vijnë si miq dhe të ikin si miq. Të vinë me dëshira dhe me paramendime të mira e të dobishme dhe të largohen të kënaqur e të frytshëm. Është tepër e rëndë kur e fyen dhe e lëndon, kur e zhgënjen dhe e poshtëron mikpritësin; kur mirësjelljen dhe miqësinë e tij e merr për dobësi e përunjësi dhe për më keq, kur shtiresh për mik e përpiqesh me paturpësi të bëhesh zot në shtëpinë e tij.

Popujt, kombet e lira e të pavarura, janë zot në trojet e tyre, ashtu si fqinji yt është zot në shtëpinë e tij. Është bukur dhe me vlerë kur ka një mirëkuptim: secili zot në vendin e vet. Prapëseprapë është e pranueshme dhe e mirëpritur edhe kur dikush, dashamirës, ndërmjetëson për vendosjen e paqes dhe të harmonisë. Por kjo fillon nga respektimi i ndërsjellë! Është e vërtetë se ka kombe të mëdha e kombe të vegla në numër; ka kombe të pasura dhe të varfra ekonomikisht. Këto ndryshime nuk mund të sjellin ndasi dhe përçarje, poshtërime dhe shpërfillje, kur ndër kombe ka një ligj të përbotshëm: ligjin e nderimit për njëri-tjetrin! Është bukur kur një kombi të vogël në numër e jo fort të pasur ekonomikisht, i njeh historinë e kulturën, traditat e zakonet, vlerat dhe aftësitë. Kjo njohje, nëse nuk e miqëson me tjetrin, më së paku i heq mendimin keqdashës. E pengon të sjellë prapësi e shëmtime, thjesht për të molepsur e zbehur virtytet e trashëguara, tiparet e bukura të karakterit, traditat e vyera të kulturës. Kjo njohje e pengon për ta përçmuar e për ta kafshuar tjetrin.

Ka edhe një të vërtetë tjetër të madhe: Janë vetë popujt, kombet, fqinj apo të largët, të mëdhenj apo të vegjël, të pasur apo të varfër, që vendosin fatet e tyre si edhe marrëdhëniet e ndërsjella; vendosin paqen, miqësinë, harmoninë dhe dashurinë ndërmjet tyre. Këto mrekulli të bukura të botës janë dhe do të jenë themeli i një jete më të mirë për mbarë njerëzimin!

Qershor 2008

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›