E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC-ja nderohet për ecurinë e shkëlqyer të shërbimit Fun Tune

Kompanitë Innova s.a. dhe Comverse i dorëzojnë AMC-së, kompanisë më të madhe celulare në vend, çmimin e Ekselencës për rezultatet dhe cilësinë e lartë të shërbimit Fun Tune. Ky çmim i jepet AMC-së për suksesin që ka njohur shërbimi Fun Tune dhe për rritjen e vazhdueshme të përdorimit të këtij shërbimi në Shqipëri. Innova s.a. dhe Comverse janë kompanitë ndërkombëtare që mundësojnë përmbajtjen e shërbimit Fun Tune, si edhe monitorojnë ecurinë e këtij shërbimi. Kompania Comverse është më e madhja në botë për sa u përket programeve dhe sistemeve që përdoren në dërgimin e mesazheve, ofrimin e përmbajtjes së shërbimeve me vlerë të shtuar, tarifimit, komunikimit me anë të IP-së, si edhe të shumë shërbimeve të tjera. Aktualisht, Comverse ofron shërbimin e saj për më shumë se 500 kompani të shërbimeve të komunikimit, në më shumë se 130 vende të botës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë drejtori ekzekutiv i kompanisë Innova, z. Emmanuil Vasilakis, drejtori i kompanisë, Comverse Hellas, z. George Kyriakopoulos, si dhe drejtori ekzekutiv i AMC-së, z. Stefanos Oktapodas. Drejtuesit e kompanive Innova dhe Comverse shprehën kënaqësinë që një çmim i tillë, këtë vit i përket një prej tregjeve të telekomunikacionit të Evropës Juglindore, Shqipërisë. Ata e cilësuan këtë si një arritje të madhe në zhvillimin dhe përmirësimin në fushën e shërbimeve dhe përkujdesjes ndaj klientit. Ata përgëzuan AMC-në për këtë arritje që e bëri të renditet sipër të gjitha kompanive të tjera të telekomunikacionit në Evropë. Në emër të AMC-së, drejtori ekzekutiv i saj, z. Stefanos Oktapodas, shprehu kënaqësinë e veçantë që kompania që ai drejton u rendit më e mira mes qindra kompanive te njohura në fushën e komunikimit. “Çmimi i dhënë kompanisë AMC, - u shpreh ai - konfirmon suksesin e filozofisë së kompanisë e cila ka në qendër të vëmendjes abonentin si dhe përkushtimin ndaj cilësisë”. Sipas z. Oktapodas, objektivi i AMC-së është të ruajë pozicionin e operatorit më të madh në treg dhe të vazhdojë përmirësimin dhe pasurimin e shërbimeve të saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›