E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombet e Bashkuara do të japin një ndihmë më të fokusuar për Shqipërinë

- Deklaratë e përbashkët për shtyp në lidhje me nënshkrimin e Programit “Një OKB”

Qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara shënuan një hap të rëndësishëm në procesin e reformës së KB-ve në vend, duke nënshkruar Programin “Një OKB”.

Objektivi i Programit “Një OKB” është të mbështesë më mirë Shqipërinë në arritjen e qëllimeve të saj ashti siç shprehen ato, mes të tjerave në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, të prioriteteve kombëtare të shprehura në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe në Sistemin e Planifikimit të Integruar.

Programi “Një OKB” në Shqipëri përfshin agjencitë rezidente dhe jo-rezidente, fondet dhe programet, të cilat kontribuojnë në mënyrë strategjike në përparësitë zhvillimore të Shqipërisë. ai gërsheton dhe sintetizon punë e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), UNAIDS, Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV), Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM), Komisariatin e Lartë të KB-ve për Refugjatët (UNHCR), Organizatën Ndërkombëtarë të Punës (ILO) dhe agjencitë jo-rezidente si Programi Mjedisor i KB-ve (UNEP), Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e KB-ve (UNESCO) dhe Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO).

Drejtuar nga qeveria e Shqipërisë dhe bazuar në forcën e agjencive pjesëmarrëse,  Programi “Një OKB” synon të maksimizojë ndikimin e KB-ve në 5 fusha kryesore: qeverisje më transparente dhe më e përgjegjshme; pjesëmarrje më e madhe gjithëpërfshirëse në politikat publike dhe vendimmarrje; mundësi më e madhe dhe më e barabartë përfitimi nga shërbime cilësore baze; zhvillimi rajonal për të ulur mosbarazinë;  zhvillimi i qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore.

“Ishte e natyrshme që Shqipëria të përzgjidhej si vend pilot për reformën e KB-ve, sepse “Një OKB” përshtatet shumë mirë me përpjekjet kombëtare për të përshtatur ndihmën e huaj me prioritetet kombëtare dhe planet e buxhetin kombëtar”, thotë Gulden Turkoz Cosslett, Koordinatore e Përhershme e KB-ve.

Shqipëria është në ballë të reformës së Kombeve të Bashkuara në nivel vendi. Suksesi i përvojës së Shqipërisë do të ndikojë në mënyrën se si vendet në rajon dhe nëpër botë do ta vazhdojnë reformën e KB-ve në vendet e tyre.

I vetmi vend në Europë, Shqipëria është përzgjedhur së bashku me shtatë vende të tjera në botë që të testojë programin mbarëbotëror të reformës së Kombeve të Bashkuara. Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara për të rritur efikasitetin dhe bashkëpunimin, nisma pilot “Një OKB” synon t’i afrojë agjencitë e Kombeve të Bashkuara me një program të përbashkët, një buxhet dhe një lider. Përzgjedhja e Shqipërisë erdhi pas kërkesës së qeverisë shqiptare, drejtuar Sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›