Fjala e Kryeministrit Berisha në konferencën ekonomike shqiptaro - gjermane, me temë “Shqipëria, me perspektivë për të ardhmen"
“Së pari, dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për vendimin që keni marrë për të qenë të pranishëm në këtë konferencë.
Kjo konferencë përbën një ngjarje të madhe në jetën ekonomike të vendit, përbën një ngjarje të madhe në javët e 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona mike. Ardhja juaj këtu është një mesazh i shkëlqyer për biznesin, por është një mesazh i shkëlqyer për gjithë shqiptarët. Javën e kaluar unë isha në Londër dhe në shtypin britanik lexoj, në gazetën “Observer”, se Shqipëria renditej një nga 20 vendet më të përshtatshme në botë për investime. U gëzova shumë dhe pavarësisht se është apo jo kjo shifër tepër e saktë, unë u zotova se Shqipëria do të jetë një vend i tillë, edhe nëse ende nuk është. Fakti që ka një prani kaq të madhe të biznesit gjerman sot në këtë sallë, pas lajmit në “Observer”, përbën një dëshmi tjetër të madhe të ardhjes së Shqipërisë në fokusin e biznesit gjerman dhe atij ndërkombëtar.
Unë dua t’ju siguroj se shndërrimi i këtij vendi në vendin më tërheqës për investimet e huaja është dhe mbetet objektivi ynë më madhor, por edhe më i vështirë. Dy vjet më parë kur ne e shpallëm këtë si objektiv, në të vërtetë ishte jo lehtësisht i besueshëm për ata që e dëgjonin dhe realisht i vështirë për t’u realizuar.
Më lejoni t’ju bëj një bilanc të arritjeve në këto dy vite, t’ju njoh me ndryshimet të cilat kanë ndodhur në këto dy vite në Shqipëri, ndryshime që ndoshta e kanë renditur atë në një ndër 20 vendet më tërheqëse, ose në një nga vendet që ecën me shpejtësi drejt tërheqjes së investimeve të huaja.
Dy vjet më parë Shqipëria ka pasur një nga shkallët më të larta të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Këta ishin dy faktorë që bënin që niveli i investimeve të huaja të ishte ndër më të ulëtit, dy pengesa këto ndër më seriozet. Qeveria që unë kryesoj u angazhua në një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në dy vite janë çmontuar dhe janë vendosur para ligjit mbi 204 grupe dhe organizata kriminale, janë ndaluar dhe vendosur para gjykatësit 850 anëtarë të këtyre grupeve dhe organizatave dhe drejtues të tyre. Ata janë ndjekur dhe gjetur kudo ku janë ndodhur, në hotelet me 5 yje të metropoleve evropiane apo në shpellat e Alpeve shqiptare. Nuk ka dhe nuk do të ketë paqe në Shqipëri për krimin e organizuar. Sot unë ju siguroj se Shqipëria është nga vendet më të sigurta në Evropë dhe do te mbetet e tillë.
Dy vite me radhë ne kemi pasur një rritje shumë të madhe të turizmit. Numri i turistëve, nga viti 2005 në vitin 2007, është rritur në 70 për qind. Vëmendja jonë absolute ka qenë në jetën dhe sigurinë e tyre. Mund t’ju them se në regjistrat e policisë shqiptare nuk ka të regjistruar asnjë rast incidenti sado të vogël me ndonjë turist që vizitoi Shqipërinë.
Dy vite më parë, në Shqipëri zotëronte sistemi i korrupsionit. Beteja kundër korrupsionit është një betejë jetike për të ardhmen e demokracisë dhe të kombit. Asgjë nuk gllabëron dhe nuk rrënon liritë e qytetarëve më shumë se korrupsioni. Ndaj edhe ne u angazhuam në një betejë shumë të vendosur, shndërruam në prioritet të parë në çdo veprim tonin luftën kundër korrupsionit, shkurtuam administratën, 20 portofole më pak, 30 për qind punonjës më pak, vendosëm rregulla strikte me paratë tona, në mënyrë që paratë publike të mos përdoren për qëllime private dhe personale. Kjo lejoni që të shkurtohen me 40 për qind shpenzimet operative të administratës që vitin e parë dhe të bëhet vetëm rritje për inflacionin 2.6 për qind vitin e dytë.
Ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit, vendosëm një ligj me të cilin ne mbrojmë njësoj, si dëshmitarin e krimeve të rënda, ashtu edhe informatorët e korrupsionit, si dhe, ata shpërblehen me 6 për qind të vlerës që sjell denoncimi i tyre. Zhvlerësuam procedurat, nga shumë të kushtueshme i shndërruam ato në 1 euro. Po privatizojmë shërbimet, po dixhitalizojmë procedurat.
Cili është rezultati i kësaj beteje kundër këtij kanceri?:
Në dy vjet, duke realizuar uljen më drastike të taksave, ne kemi rritur të ardhurat në buxhetin tonë nga 22 në 27 për qind. Ne parashikojmë të investojmë këtë vit në buxhetin tonë, në investime publike aq sa janë investuar në 4 vite, para ardhjes së kësaj qeverie në pushtet.
Janë ndryshuar ligjet, ai i prokurimeve publike, i partneritetit publik privat, si dhe një seri procedurash të tjera.
Kemi ndërmarrë një betejë shumë të ashpër kundër informalitetit, të bindur se ekonomia informale e Shqipërisë nuk ka të ardhme. Mund t’ju them se fundi i këtij viti sjell informalitetin në nivele tërësisht të pranueshme. Nuk mund të them se do të ketë zero informalitet, por ai do të jetë në nivele shumë të ulëta.
Për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, ne përcaktuam 2 objektiva, të ishim vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe vendi me koston më të ulët të prodhimit në Evropë.
Ne i kemi përmbushur objektivat tona. Kemi ulur 31 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore, kemi ulur 130 për qind taksën mbi të ardhurat personale, në 1 janar 150 për qind tatimi mbi fitimin dhe instalohet taksa e sheshtë. Ne kemi ulur me 33 për qind çmimin e energjisë elektrike për biznesin. Ne jemi kujdesur shumë të lehtësojmë barrën burokratike për biznesmenët .
Dy vjet më parë koha e regjistrimit të një biznesi ishte 42 ditë, ndërsa sot koha e regjistrimit është një orë në një sportel “one stop shop” Ne do të fillojmë menjëherë punën për krijimin “one stop shop” për licencat dhe lejet, të cilat edhe në statusin aktual janë të normave dhe standardeve evropiane.
Ne ndërmorëm iniciativën “një euro”. Janë jo të pakta kompanitë e mëdha të cilat kanë marrë, mbi bazën e kësaj iniciative, sipërfaqe të tëra toke për qëllime industriale me një euro, kanë marrë objekte me një euro, që regjistrojnë biznesin me një euro, si dhe shumë e shumë tarifa të tjera me një euro.
Në dy muajt e fundit, për të lehtësuar veprimtarinë e biznesit, ne kemi realizuar 3 projekte të mëdha, “One stop Shop”, taksën on- line dhe prokurimet elektronike. Unë jam i vetëdijshëm se sërish duhet bërë punë e madhe për konsolidimin e të gjitha këtyre reformave . Por një gjë e sigurtë, Shqipëria është një histori suksesi dhe këtë e dëshmon prania e përditshme e kompanive më të mëdha të Europës në të gjitha fushat në Shqipëri. Gjatë këtij viti, vetëm në fushën e naftës kanë hyrë 3 kompani të reja dhe një tjetër kompani e katërt është një kompani gjermane që është në tratativa shumë të mira me Alpetrolin. Gjatë muajve të fundit, dy bankat më të mëdha të Europës, San Paolo IMI dhe “Societe Generale”, janë instaluar në Shqipëri, disa kompani sigurisht gjithashtu, ndërkohë që të tjera kompani të tjera të mëdha do të vijnë. Kompani të mëdha të çimentos në Mesdhe kanë bërë projekte dhe do të investojnë në Shqipëri. Shqipëria është vend malor me lartë mesatare më të madhe në Euroë. Alpet e Shqipërisë nuk janë dolomit, por janë minerale të çmuara, krom, hekur, nikel, bakër, polimetale, etj. Ndaj, nga të katër anët nga Kanadaja, Australia, Evropa, kompani të mëdha të minierave janë vendosur në Shqipëri, ose po studiojnë mundësinë për të investuar këtu.
Sektori i energjisë është një nga sektorët më të rëndësishëm. Është e vërtetë që ne përballemi me vështirësi në fushën e energjisë. Por më lejoni t’ju them se edhe këtë të vit të vështirësisë, konsumi i energjisë nga biznesi është rritur me 12.6 për qind, sepse ne kemi bërë çdo përpjekje që biznesit të mos i mungojë energjia .
Në të gjitha këto përpjekje për të realizuar këtë mjedis të përshtatshëm për biznesin, një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar kanë dhënë qeveria dhe taksapaguesit gjermanë. Unë gjej rastin këtu t’u shpreh mirënjohjen më të thellë atyre. Qeveria e Republikës Federale Gjermane ka nxjerrë Shqipërinë në krye të të gjitha vendeve për ndihmën ekonomike për frymë. Gjatë këtyre viteve janë 700 milionë euro të dhëna këtij vendi, të cilat përfshijnë të gjitha fushat pa përjashtim të jetës së shqiptarëve, infrastruktura në radhë të parë, uji i pijshëm, energjia, arsimi, shëndetësia, policia, ushtria, pra të gjitha fushat. Kam kënaqësi se zhvillimet tregojnë se kjo ndihmë, që përbën edhe pjesën thelbësore të background-it të rezultateve me të cilat unë ju njoha këtu, ka qenë shumë e dobishme.
Unë ju siguroj se ne po ndërmarrim investime shumë të mëdha në infrastrukturë për të lehtësuar investimet tuaja në Shqipëri. Ekonomia shqiptare sot është një ekonomi e vogël, entuziaste dhe dinamike. Nuk ka një tregues të saj një shifror, përveç inflacionit dhe deficitit buxhetor. Eksportet janë rritur këtë vit me 28 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, krediti për ekonominë pothuajse po dyfishohet dhe ky kredit në 70 për qind i adresohet biznesit. Depozitat bankare janë rritur me 25 për qind, indeksi i shitjes ka një rritje me 20 për qind. Pra, në tërësi treguesit janë shumë optimistë.
Të nderuar miq,
Së fundi, mund t’ju them se në Shqipëri ka një kuadër ligjor të përshtatshëm, ka resurse ë mëdha natyrore, njerëzore, ka një pozicion të shkëlqyer gjeografik. Në çdo rast, në Shqipëri keni një mik, jo vetëm tek qytetari i thjeshtë, por tek qeveria shqiptare që është e vendosur të mbështesë ju në çdo hap të përpjekjeve dhe të projekteve tuaja, t’ju shërbejë ju për suksesin tuaj.
Faleminderit!”