E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha njihet me projektet e një partneriteti të biznesit shqiptaro-anglez

Kryeministri Berisha ka pritur sot në zyrën e tij përfaqësues të “ia British Connection” dhe “Guardian Waste Management Ltd”, të cilët kanë prezantuar një iniciativë të re shqiptaro- angleze që konsiston në nxitjen dhe mbështetjen e ideve të reja për biznesin. Këtë lloj bashkëpunimi, ata po e prezantojnë në Shqipëri, duke synuar rritjen e bizneseve shqiptaro- angleze dhe ofrimin e ndihmës në trajnime, konsulta dhe të krijimit të kontakteve.

Më pas, përfaqësuesit e “Guardian Waste Management Ltd”, me eksperiencë në Angli dhe në vendet e tjera të komunitetit evropian, i kanë prezantuar Kryeministrit Berisha një projekt për trajtimin nga pikëpamja ambientaliste dhe ekonomike e mbetjeve të ngurta në vend. Zgjidhjet teknologjike, të ofruara prej tyre, konsistojnë në pastrimin e ambientit nëpërmjet përpunimit të mbetjeve duke prodhuar energji.

Një tjetër mënyrë për të trajtuar mbeturinat dhe mbrojtur ambientin është dhe riciklimi, si pjesë e kësaj pakete investuese. Ky grup ofroi gjithashtu dhe asistencë teknike për trajtimin e këtij problemi në përgjithësi, në të gjithë vendin.

Kryeministri Berisha, pasi i ka falënderuar përfaqësuesit e bizneseve angleze për përgjigjen e menjëhershme ndaj thirrjes së tij, drejtuar një javë më parë biznesit anglez, u garantoi atyre mikpritjen dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare e të komunitetit të biznesit shqiptar.

Kryeministri vlerësoi iniciativën e partneritetit të biznesit shqiptaro-anglez dhe kontributin e tij për të promovuar imazhin e Shqipërisë, si një vend me klimë shumë të përshtatshme investimesh.

Ndërsa për grupin tjetër, Kryeministri theksoi se ky është momenti i duhur për investimin që ata propozojnë. Problemi i mbetjeve të ngurta në Shqipëri dhe pastrimi i ambientit është në qendër të angazhimeve të qeverisë së tij. Një grup ministror po studion këtë problem, ndaj asistenca e ofruar është e mirëpritur po aq sa dhe ideja e biznesit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›