E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombetarja U-21: Iken Bushati, vjen Gega

/* */

Artan Bushati dha dorëheqjen e tij (të dytë) me dëshirë nga drejtimi i Kombëtares U-21 të Futbollit, duke i dhënë fund një aventure kontraverse prej gjashtë vjetësh në krye të Shpresave, qysh kur mori postin e lënë bosh nga Hasan Lika, në nëntor të vitit 2005.

Të paktën, kështu u formula nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, gjatë konferencës së tij për shtyp, që bëri të ditur se Skënder Gega, ish-trajneri i Kombëtares U-19 do të drejtojë Shqipërinë U-21.

Interesant është një fakt, pasi më 15 tetor 2009, trajneri i Kombëtares U-21, Artan Bushati, dha dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i skuadrës, pas humbjes 4-2 me Bjellorusinë, të vlefshme per  eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 U-21.

Shqipëria U-21 atëherë pësoi humbjen e katërt në pesë ndeshje, pas atyre me Skocinë (2) dhe Austrinë (1), ndërsa kishte fituar vetëm me Azerbajxhanin në “Niko Dovana”.

Dy ditë më pas, më 17 tetor 2009, gjatë një konference të detyruar për shtyp, Bushati deklaroi se ai kurrë nuk e kishte dhënë dorëheqjen, por se me deklaratën e tij në dhomat e zhveshjes, kishte dashur të motivonte lojtrët e tij.

Ndeshja e parë e Bushatit me Shpresat është ajo kundër Sllovakisë, një barazim 0-0 i fiksuar më 17 gusht 2006 në Senec, përpara se në takimin e “Selman Stërmasit” të mundej 3-0 nga Spanja, në radhët e së cilës në atë kohë luante edhe mbrojtësi aktual i Barcelonës, Zherard Pike.

Takimi i fundit i Artan Bushatit është i kundër Polonisë, më 11 tetor 2011, i humbur 4-3, me polakët që realizuan golin fitues në minutën e 92-të.

Një nga fitoret më të bujshme në epokën “Bushati”, është ajo 1-0 kundër Kroacisë për Euro 2008 (8 shtator 2007), një takim i luajtur në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit (gol i Nevian Canit).

Rezultatin më të thellë Shpresat e kanë arritur kundër Ishujve Faroe, kur fituan 5-0 në transfertë (17 nëntor 2007), me golat e Sukajt (3), Abilaliajt dhe Prognit.

Bushati ka drejtuar edhe Shqipërinë (B) në ndeshjen kundër Milanit (3-3, 4-5 p), për trofeun “Taçi Oil Cup”, më 13 maj 2009 në “Qemal Stafa”,

Në tri ndeshjet e fundit eliminatore për Europianit U-21, trajneri Bushati regjistroi dy humbje me Poloninë (3-0 në Korçë, 4-3 në Grudziadz) dhe një fitore me Moldavinë (4-3, në Korçë).

Skënder Gegës, trajnerit që bëri një paraqitje të pëlqyeshme me Kombëtaren U-17 në eliminatoret e Euro 2012 të kësaj moshe, përballë Danimarkës, Austrisë dhe Maltës,  i është besuar edhe përmirësimi i imazhit të Kombëtares U-21.

Ndeshja e parë e Shpresave me trajner Skënder Gegën do të jetë ajo kundër Rusisë, më 10 nëntor 2011, për të vazhduar katër ditë më pas me Portugalinë.

Shqipëria U-21 renditet në vendi e parafundit në grupin 6 me tri pikë pas tri ndeshjesh. Grupi ynë kryesohet nga Polonia (7 pikë, 4 ndeshje), Rusia (6 pikë, 2 ndeshje), Portugalia (4 pikë, 2 ndeshje).

Moldavia është e vetmja skuadër që i ka humbur të tre takimet.

Trajneri Skënder Gega ka një grup lojtarësh që luajnë në kampionatin shqiptar, por dhe në ligat e huaja europiane.

Sulmuesi i Lokarnos në kampionatin zviceran, Armando Sadiku, me katër gola në tri ndeshje, është edhe shënuesi më i mirë i skuadrës.

Bekim Bala, Mërgim Brahimi dhe Bruno Telushi kanë shënuar secili nga një gol.

U-21, EURO 2013
GRUPI 6

NDESHJET
Shqipëri-Poloni         0-3
Shqipëri-Moldavi     4-3
Poloni-Shqipëri        4-3

Shqipëri-Rusi        10.11.2011
Shqipëri-Portugali    14.11.2011
Portugali-Shqipëri    06.06.2012
Rusi-Shqipëri        12.06.2012
Moldavi-Shqipëri        06.09.2012

RENDITJA
Polonia     4    7
Rusia     2    6
Portugalia     2    4
Shqipëria     3    3
Moldavia     3    0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›