E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombetarja kerkon fitoren

Edhe pse gjatë gjithë javës ka kërkuar uljen e euforise në rradhët e tifozerisë kuqezi, trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi nuk e fsheh dëshirën për të mposhtur norvegjezët edhe në “Qemal Stafa”.

Kjo gjë duket më së miri në formacionin që tekniku italian pritet të hedhë në fushë që nga minuta e parë, ku bie në sy prania e dy sulmuesve Cani dhe Salihi. Porta do t'i besohet Ertrit Berishës, i cili me gjakftohtësinë e tij i ka dhënë siguri jo vetëm lojtarëve në fushë por edhe trajnerit në pankinë. Pritet që vendin e Canës në mbrojtje ta mbajë Teli i cili do të qëndrojë përkrah Dallkut, Mavraj dhe Agollit.  E reja e formacionit do të jetë mesfushori Valdet Rama i cili pritet ta nisë ndeshjen që nga minuta e parë ndërkohë që Bulku dhe Basha do të jenë sërish siguria e De Biazit në mefushë. Ndërkohë sipas kompanive të basteve përfaqësuesja norvegjeze ka më shumë shanse që të fitojë në Tiranë. Suksesi i skandinavëve kuotohet mesatarisht me koefiçentin 2.3, ndërsa i Shqipërisë me 3.07. Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes trajneri i kombëtares tonë deklaroi se shpresat për një kualifikim nuk varen vetëm nga kjo ndeshje.  Ndërsa jemi në prag të ndeshjes me Norvegjinë, kryeqyteti shqiptar është mbuluar me ngjyrat kuqezi. Shumë shitës ambulantë kanë dalë nëpër rrugët e Tiranës për t'u shitur tifozëve flamuj, apo aksesorë të tjerë me ngjyrat e flamurtit kombëtar. Rëndësia e madhe që ka kjo sfidë ka bërë që në Tiranë të vijnë dhe shumë sportdashës nga qytete të tjera të shqipërisë dhe Kosovës. Nuk mungojnë edhe tifozët norvegjezë të cilët kërkojnë të mbështesin skuadrën e tyre në 'Qemal Stafa', e cila kërkon patjetër fitoren për të mbajtur të gjalla shpresat për një vend të dy në grup.   / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›