E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja kuqezi, Rusia ose Turqia kundërshtaret për miqësoren e marsit

Përgatitjet
Zbehet përballja me Luksemburgun, Kuzhe kërkon që ndeshja të luhet në Tiranë

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë në diskutime me disa prej përfaqësueseve më të mëdha në kontinent për miqësoren e 3 marsit. Fillimisht u mendua se përfaqësuesja kuqezi do të luante përballë modestëve të Luksemburgut, por ky opsion është zbehur, pasi trajneri Josip Kuzhe kërkon me patjetër që takimi të zhvillohet në “Qemal Stafa”. Për këtë arsye, institucioni që drejton sportin më popullor në vend po lëviz për të gjetur një kundërshtar të gatshëm të vijë në Tiranë, por që është edhe një emër i rëndësishëm në kontinent. Dy prej alternativave kryesore janë Rusia ose Turqia, ndërsa nuk kanë munguar as ftesat për ekipet e tjera të njohura të rajonit. “Federata po kërkon një kundërshtar të gatshëm që të luajë me Shqipërinë në fushën tonë, për datën 3 mars, të përcaktuar nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, pohuan burime pranë FSHF-së. “Rusia është një alternativë e mundshme, ashtu sikundër edhe Turqia. Gjithsesi, duhet theksuar se ftesa u janë dërguar të gjitha federatave të rëndësishme në rajon. Për të pasur sa më shumë mundësi zgjedhjeje, në listën e kundërshtarëve janë përfshirë edhe Maqedonia dhe Mali i Zi”.Emri përfundimtar i kundërshtarit për miqësoren e marsit do të vendoset vetëm pas shortit eliminator të Euro 2012. Verdikti i goglave në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, do të jepet më 7 shkurt. Pasi të njohë kundërshtarët e edicionit të ardhshëm, trajneri Kuzhe në bashkëpunim me drejtuesit e federatës, do të përcaktojnë se cili është kundërshtari që vlen më tepër në kuadër të përgatitjeve për fazën kualifikuese.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›