E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migen Memelli niset sot drejt Rusisë

Sulmuesi

Migen Memelli do të largohet sot nga grumbullimi i Tiranës, për të udhëtuar drejt Rusisë, ku pritet të firmosë me Spartak Nalçik, klubin që militon në Premierligë që prej vitit 2006. Sulmuesi 29-vjeçar, që vetëm pak javë më parë kishte arritur akordin parimor me Tiranën, ka vazhduar të shqyrtojë me kujdes të gjitha ofertat nga kampionatet e ndryshme europiane. Në fakt, sipas marrëveshjes me presidentin Halili, nëse do të qëndronte në Kategorinë Superiore, ai do të luante vetëm me Tiranën, por prioritet ka qenë gjithmonë aktivizimi jashtë vendit. Spartak Nalçik i ka ofruar Memellit kontratë 2-vjeçare, nga e cila lojtari do të përfitojë 500 mijë dollarë amerikanë. Në këtë mënyrë, rusët duket se kanë mposhtur konkurrencën e klubeve nga Kina, Izraeli apo edhe Ukraina. Sipas burimeve pranë klubit, lojtari do të kalojë një periudhë të shkurtër prove në Nalçik, por nuk përjashtohet që ai të firmosë menjëherë edhe kontratën e ofruar. Pogradecari ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të bardhebluve: gjatë sezonit të kaluar, ai u shpall golashënuesi më i mirë në Shqipëri (22 gola), duke i dhuruar Tiranës titullin e 24-t kampion.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›