E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, me probleme, Bulku e Curri të dëmtuar

TIRANE- Ka nisur me probleme grumbullimi i ekipit kombëtar për dy miqësoret e radhës ndaj Azerbajxhanit dhe Maqedonisë. Dy prej emrave kryesorë
të skuadrës, Ervin Bulku e Debatik Curri, kanë ardhur të dëmtuar dhe sipas stafit mjekësor, nuk janë të gatshëm për të luajtur. Një problem më shumë për drejtuesit e kombëtares, duke qenë se bëhet fjalë për dy futbollistë që nuk është e lehtë të zëvendësohen.

Ndërkohë, i çuditshëm është fakti se si janë ftuar dy lojtarët, kur ata ishin të dëmtuar. Në dy ndeshjet e radhës, kombëtarja do të drejtohet nga ndihmësi i Josip Kuzhe Xhemal Mustedanagiç, duke qenë se FSHF nuk e ka gjetur ende trajnerin e ri. Duke folur përpara gazetarëve, Ansi Agolli ka treguar për futbollin në Azerbajxhan, ku ai ka luajtur në sezonet e fundit. "Ata kanë një skuadër shumë të mirë, - deklaroi anësori kuqezi. - Futbolli aty është rritur shumë dhe nuk janë më si disa vite më parë. Gjithashtu, kanë ndërtuar edhe një filozofi dhe një lojë të qartë", tha më tej ai. Ansi Agolli ndërkohë kërkoi falje për ndeshjen me Luksemburgun, në të cilën doli me të kuqe. "U kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve për atë karton, sepse penalizoi skuadrën", tha mbrojtësi anësor.

Ndërkaq, për Andi Lilën, kjo ndeshje është një test i mirë, sidomos për futbollistët e rinj. "Duam të bëjmë një paraqitje të mirë, - u shpreh Lila. - Them se pavarësisht se është miqësore, do të jetë e rëndësishme sesi do të luajmë në këto dy ndeshje, për të fituar edhe besimin e tifozëve", tha ai. "Jam i kënaqur dhe i nderuar që jam i vetmi futbollist i Vllaznisë në ekipin kombëtar", deklaroi sulmuesi Xhevahir Sukaj.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›