Kombëtarja, nisin ditët anti-Portugali
Kombëtarja e Shqipërisë nisi ditët anti-Portugali, duke filluar së pari me akomodimin në rezidencën e hotel “Durrah” dhe seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri të përfaqësueses, kroatit Josip Kuzhe.
Të premten nën urdhrat e pasuesit të Ari Hanit ishin vetëm futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar, por dhe Hidi, Bylykbashi, Bulku e Vangjeli, që luajnë në Ukrainë e Greqi.
Ansi Agolli, kampioni i dyfishtë i Tiranës, dhe një nga protagonistët e barazimit 0-0 të Shqipërisë të Portugalisë në Bragë, pohoi: “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në Portugali. Pavarësisht se në tri ndeshjet e fundit bëmë një paraqitje jo të mirë, besoj se do të rigjejmë forca për të përsëritur takimin me Portugalinë. Duhet të bëjmë më të mirën për skuadrën”.
Mbrojtësi i Vllaznisë, Elvin Beqiri, një nga lojtarët më përvojë në repartin që pritet të ketë më shumë punë në ndeshjen kundër Portugalisë tha: “Është vërtet ndeshje e vështirë, por dhe ne e dimë këtë. Natyrshëm, që kjo varet edhe nga trajneri, taktikat që do të përdoren në atë ndeshje. Shpresoj të marrim rezultat”.
Migen Memelli, “këpuca e arta” e sezonit 2008-2009 dhe me një sezon të jashtëzakonshëm e me disa rekorde në kampionatin, që porsa përfundoi thotë: “Ndihem mirë që jam sërish pjesë e Kombëtares. Pas një sezoni shumë të mirë dhe një eksperience të parë me Kombëtaren, besoj se po të aktivizohesha nuk do të vononte dhe goli me fanellën e përfaqësueses, megjithatë të shpresojmë”.
Dorian Bylykbashi, një nga dy kapitenët shqiptarë në skuadrat e huaj, elbasanasi te Krivbasi në Ukrainë e Lorik Cana te Marseja në Francë, tha: “Normale që do të përgatitemi me seriozitet, pasi kundërshtari është një nga ekipet më të forta në Europë, për më tepër që nuk e harron lehtë barazimin tonë në Portugali dhe i duhet me patjetër të fitojë. Personalisht, si unë dhe Ervin Bulku e Isli Hidi, shokët e mi te Krivbasi jemi në gjendje të mirë”.
Virtuozi Jahmir Hyka festoi ditët e fundit dy gëzime, rithirrjen në Kombëtare, por dhe ngjitjen me ekipin e tij, Mainc 05, në Bundesligën e parë gjermane. “Nëse do ta plotësoja edhe me një rezultat pozitiv kundër Portugalisë, atëherë do të ishta njeriu më i lumtur në botë”, - tha 20-vjeçari.
Mesfushori i talentuar i Teutës, Emiljano Vila, autor i 15 golave në kampionat dhe realizuesi i një golit të parë të Shqipërisë B në barazimin 3-3 në miqësoren kundër Milanit, edhe pse nga Durrësi e vetëm një “vrap” nga hoteli “Durrah”, kishte mbërritur i pari në kryeqytet, për t’u nisur nga Tirana në drejtim të rezidencës së Kombëtares.
“Është bukur të impenjohesh me Kombëtaren, por dhe një përgjegjësi e madhe. Është një mundësi shumë e mirë për mua të jem përkrah emrave më të mëdhenj të përfaqësueses”, - tha Vila, i kërkuar nga Dinamo, por edhe pjesë e një thashetheme për një transferim të mundshëm te Atletiko e Madridit në Spanjë.
Portieri i Kombëtares, Isli Hidi, ai dhe i cili mendohet se do të jetë midis tri shtyllave në ndeshjen kundër Portugalisë, duke ndjerë edhe përgjegjësinë e rastit, pohoi se ishte më mirë të fliste pas ndeshjeve me portugezët e Gjeorgjisë, duke i shmangur komentet e rastit.
30 Maj 2009