E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, nisin përgatitjet për Suedinë

Ekipi kombëtar shqiptar do të akomodohet në hotelin “Rezidenz Limburgerhof” dhe seanca e parë stërvitore, që do të zgjasë rreth dy orë, do të zhvillohet sot në orën 17:00.

Lojtarët dhe stafi i përfaqësueses sonë u nisën mëngjesin e djeshëm drejt Gjermanisë dhe i vetmi që nuk mundi t’i bashkohet grupit, ishte mbrojtësi që debuton në Kombëtare, Maringlem Shoshi.

Lojtari i Apolonisë, i thirrur në momentet e fundit nga trajneri Kuzhe, së bashku me Endri Vrapin për të zëvendësuar Elis Bakajn dhe Andi Lilën, nuk ka pasur vizë. Prandaj, ai do të bashkohet i fundi me pjesën tjetër të skuadrës.

Ditën e enjte, më 8 tetor, është programuar edhe një minindeshje kontrolli ndaj një ekipi të Kategorisë së Gjashtë gjermane. “Ndihemi krenarë që Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në krahinën tonë dhe ne do të bëjmë të pamundurën që të gjithë të jenë sa më komodë”, thanë burime zyrare nga klubi modest.

Më 10 tetor, pak orë para se Suedia të luajë kundër Damimarkës, është parashikuar që Shqipëria të zhvillojë një miqësore me Greuther Furthin.

Një ditë para ndeshjes ndaj nordikëve, në datën 13 tetor, pas më tepër se një javë stërvitjeje në Gjermani, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Suedisë për ndeshjen e së mërkurës.

Kjo është hera e pestë që Kombëtarja shqiptare luan kundër suedezëve. Në katër takimet e luajtura më parë, nordikët kanë fituar tre herë dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim (0-0 më 6 shtator 2008 në “Qemal Stafa”).

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›