E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja pa trajner në prag të miqësores me Milanin

Autori i Lajmit: red.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ndodhet në udhëkryq për emërimin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare. Pas refuzimit që i bëri ofertës 300 mijë euro të FSHF-së, trajneri kroat, Branko Ivankoviç, i cili pritet të firmosë për klubin arab Al vasl Sport Klub, për FSHF-në mbeten ende disa kandidatura të tjera që mund të marrin drejtimin e kombëtares. Kroati Josip Kuzhe, ish-trajneri i Ruandës në Afrikë, mund të jetë edhe favoriti kryesor për të pasuar në bankinën kuqezi holandezin Ari Han. Sipas burmieve të FSHF-së, 56-vjeçari Kuzhe është rekomanduar nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç. Emër tjetër është ai i trajnerit italian, Franko Barezi, i cili është i gatshëm të marrë drejtimin e Shqipërisë. Ndeshja e radhës për kombëtaren shqiptare është miqësorja ndaj Milanit, pas një jave, dhe do të ishte një surprizë e këndshme nëse trajner i Shqipërisë në atë takim të ishte mbrojtësi që u bë legjendë pikërisht tek skuadra italiane e Milanit. Megjithatë, sipas FSHF-së, duhet parë disponueshmëria që ka Barezi për të qëndruar dhe jetuar në Shqipëri, pasi ky është një prej kushteve bazë që FSHF ka vënë për trajnerin e ardhshëm të kombëtares shqiptare. Aktualisht Barezi është trajneri i të rinjve të Milanit. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, njeriu që sipas statutit të FSHF-së ka të drejtën ekskluzive për rekomandimin dhe emërimin e trajnerit të Kombëtares, ka biseduar gjatë këtyre javëve me shumë trajnerë të huaj. Disa nga emrat e teknikëve kandidatë janë Herbert Prohaska, Zllatko Kranjçar e Kurt Jara, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Sipas zyrës së shtypit të FSHF-së, "vetëm pas ndeshjes finales së Kupës së Shqipërisë, që do të luhet sot në Durrës, do të mësohet më shumë rreth trajnerit të ri të kombëtares shqiptare të futbollit”. Të martën e ardhshme, më datë 12 maj, kombëtarja shqiptare do të zhvillojë takimin miqësor ndaj Milanit dhe deri atëherë FSHF, duhet të gjej një trajnerë për kombëtaren, qoftë ky edhe një trajner i përkohshëm.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›