E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot finalja, Tirana dhe Flamurtari përplasen për trofeun

Autori i Lajmit: red.
Finalja e edicionit të 57-të Kupës së Shqipërisë midis Tiranës e Flamurtarit do të luhet sot në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Finalja do të shpallë fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar, por do të zbardhë edhe ekipin e parë që do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës. Tirana e ka fituar 13-herë Kupën e Shqipërisë, dhe tre prej tyre i ka fituar pikërisht ndaj Flamurtarit: 1983, 1984 e 1996. Pas 13 vjetësh, dy skuadrat rikthehen sërish në një finale të Kupës midis tyre, kësaj radhe me shpresën e madhe të vlonjatëve për të fituar për herë të tretë trofeun e lakmuar, teksa e kanë fituar atë edhe dy herë në vitin 1985 dhe 1988. Tirana ka dominuar futbollin shqiptar në 20 vitet e fundit, duke e fituar kampionatin 10-të herë e Kupën e Shqipërisë 6-të herë, madje në sezonet 1998-1999 dhe 1995-1996, i ka fituar të dy trofetë. Pikërisht një ambicie të tillë kanë dhe këtë sezon bardheblutë, pasi dhe në kampionat ndodhen në vend të dytë, me një pikë më pak se Vllaznia, kur duhen edhe tri javë nga përfundimi i sezonit. Edhe pse i ka në dorë të dyja trofetë, nuk është çudi që Tirana të mos fitojë asnjërin prej tyre, nëse formacioni i ideuar nga Bllazh Slishkoviçi e zbatuar në mënyrë përfekte në fushë nga Agustin Kola, të bëjë hapa fals. Statistikat e tri përballjeve të tyre flasin me ngjyrat bardheblu, tri finale të diskutuara midis tyre, të tria të fituara nga Tirana, por në Vlorë janë optimistë se nuk do të kenë fatin e tetë finaleve të humbura. “Niko Dovana” ishte shumë i mbarë për Flamurtarin, pasi në Durrës nisi dhe rruga drejt finales me eliminimin në çerekfinale të Partizanit, për të vazhduar me Shkumbinin në gjysmëfinale, sidomos me ndeshjen në Peqin, që bëri bujë ndërkombëtare për shkak të gjuajtjes me gurë ndaj gjyqtarëve italianë. Tirana njihet gjerësisht se klubi që shpenzon më tepër në Shqipëri, kjo jo vetëm për numrin më të madh të trofeve të fituar, 43 midis kampionatit, Kupës e Superkupës së Shqipërisë, por për shpenzimet stratosferike për të pasur në gjirin disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Rreth 1 miliardë lekë të vjetra shkon fatura e Tiranës, por në këto kufij është edhe bilanci financiar i Flamurtarit, 2-herë fitues i Kupës dhe një herë i kampionatit. Tirana është skuadra që ka zhvilluar më shumë ndeshje ndërkombëtare në Europë, 58 të tilla , por është Flamurtari (18 ndeshje) skuadra më e famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare, madje kuqezinjve vlonjatë u përket edhe eliminimi më i bujshëm, pikërisht Partizanit të Beogradit (2-0, 1-2) në vitin 1987, me atë gol të jashtëzakonshëm të Sokol Kushtës. Me një president pasionant futbolli si kryebashkiaku Shpëtim Gjika dhe me një nga bashkitë më të pasura në Shqipëri, Flamurtari kërkon të rikthehet te trofeu pas 18-të vjetësh mungesë, kur fitoi për herë të parë e të fundit kampionatin shqiptar. Tirana merr pjesë për herë të 21-të në finale. Në turin e parë eliminoi Tërbunin (1-1, 1-0), në të dytin Lushnjën (4-1, 5-0), në të tretin Elbasanin (0-0, 2-0) dhe në gjysmëfinale eliminoi Vllazninë (0-0, 1-0 pas kohës shtesë). Tirana e ka fituar 13-herë kupën e Shqipërisë, për herë të fundit në vitin 2007, teksa sezonin e kaluar humbi 2-0 me Vllazninë. Flamurtari merr pjesë për herë të 12-të në finale. Në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1), në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke) dhe në gjysmëfinale Shkumbinin (1-0, 1-1). Flamurtari e ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë, në vitin 1985 dhe 1988, kur në finale ka fituar respektivisht ndaj Partizanit. Cilido që të jetë përfundimi i finales, si për Tiranën ashtu dhe për Flamurtarin, një gjë ka vlerë historike në këtë takim, si për trajnerin e bardhebluve, Agustin Kola, ashtu dhe atë të vlonjatëve, Eqerem Memushi, pasi njëri prej tyre do të hyjë për herë të parë në “Librin e artë” si trajner fitues i Kupës. Madje, për Kolën, ka dhe një specifikë tjetër, pasi do ta fitonte atë në vitin e tij të parë si trajner.

Historiku midis Tiranës dhe Flamurtarit
1995-1996 Tirana-Flamurtari 1-1 (4-3 p)
1983-1984 Tirana-Flamurtari 2-1
1982-1983 Tirana-Flamurtari 2-1
2008-2009 Tirana-Flamurtari - “Niko Dovana” ora 16:00
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›