E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombetarja shqiptare de juro pa trajner

Elimintoret e Euro 2012 u mbyllën, por kombëtarja shqiptare përballet me të tjera sfida të rëndësishme, megjithëse këtë herë jashtë fushës së lojës. Kontrata e skaduar e Josip Kuzhe ka bërë që kuqezinjtë të jenë “de juro” pa trajner, ndërsa nga selia e federatës askush nuk mund të thotë se kur do të vendoset e ardhmja e pankinës shqiptare. 

Mes shumë dyshimesh, gjëja më e sigurt është se barazimi në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë ka firmosur fundin e aventurës së Kuzhe me kombëtaren e Shqipërisë. Deklaratat diplomakite të presidentit Armand Duka nuk lenë shkas për një rinovim të kontratës me kroatin, ndërsa ky i fundit, përtej dëshirës së tij nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv. Të gjitha këto cojnë në një pikë: kontrata e Kuzhes nuk do të rinovohet, ndërsa që tani kanë nisur të qarkullojnë në korridoret e FSHF-së edhe kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e kombëtares.

Me Josip Kuzhe duket se ka marrë fund edhe dashuria me trajnerët e huaj, pasi emrat më të përfolur janë tre prej ish-futbollistëve më të rënsdësishëm të kombëtares shqiptare në vite, Besnik Hasi, Bledar Kola dhe Rudi Vata. I pari prej kohësh mban postin e zëvendëstrajnerit të Anderleht, ndërsa emri i tij është afruar edhe në të shkuarën me përfaqësuesen kuqezi. Edhe Vata nuk ka mohuar dëshirën e tij për t’u ulur në pankinën shqiptare, ndërsa Kola prej vitesh punon në Greqi si një trajnerët e akademisë së AEK-ut të Athinës.

Gjithsesi, në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e kombëtares janë edhe trajnerë të huaj, ku më i mundshmi është emri i teknikut serb Ljupko Petrovic. Kandidatët nuk mungojnë, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit duhet të vendosë shpejt, pasi në  nëntor skuadra kuqezi ka në program 2 ndeshje miqësore kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›