E Diel, 1 Nëntor 2026

Danimarka i bën gjëmën Portugalisë Rusia e Greqia s’gabojnë në të fundit

Përfundojnë eliminatoret në të gjithë kontinentin. Kualifikohen Gjermania, Rusia, Italia, Bosnja, Holanda, Greqia, Anglia, Danimarka, Spanja dhe Suedia. Në play-off Turqia, Irlanda, Estonia, Franca, Kroacia, Mali i Zi, Portugalia dhe Çekia

Gjermania nuk bën dhurata. “Pancerat” e Joakim Lëvit tregojnë se janë kombëtarja më e frikshme në kontinent. Me 30 pikë nga 10 ndeshje, pa shpërdoruar asnjë nga 90 minutat e zhvilluara, gjermanët bëhen e vetmja skuadër që kap këtë kuotë. Dje, ata nuk kursyen as Belgjikën. Këta të fundit e humbën betejën për një vend në play-off pikërisht me Turqinë, e cila nga ana e saj mposhti minimalisht Azerbajxhanin dhe këmbeu vendet me belgët në grupin A.

Rusia ka bërë detyrën kundër Andorrës dhe me 6 golat e shënuar e futi në xhep kualifikimin për në Euro 2012. Në vend të dytë u rendit Irlanda e Xhovani Trapatonit, që mposhti Armeninë në Dublin. Kështu, Rusia kualifikohet si e para në grup, ndërsa Irlanda shkon në play-off.

Holanda dështon në misionin e saj për të fituar 10 ndeshje nga dhjetë, pasi humbet në Suedi 3-2. Pasi përmbysën avantazhin e Kim Karlstromit me golat e Huntelarit dhe Kajtit, “tulipanët” panë t’u ikë fitorja nga duart në pjesën e dytë kur Larson dhe Toivonen kthyen rezultatin në favor të nordikëve, që kualifikohen kështu si e dyta më e mirë e të gjitha grupeve me 24 pikë. Barazimi pa gola i Hungarisë me Finalndën dhe fitorja 4-0 e Moldavisë ndaj San Marinos në grupin E janë thjesht sa për statistikë.

Greqia ishte në zonën play-off deri në minutën e 79-të dhe Kroacia e kualifikuar, por Fotaqis dhe Karisteas i kthyen helenët në rrugën e duhur për të përmbysur disavantazhin në Gjeorgji. Kroacia nga ana e saj bëri detyrën (2-0) me Letoninë, por përfundon e dyta në grupin F.

Danimarka bën mrekullinë përballë Portugalisë. Golat e Dehli dhe Bendtner, nga një për çdo pjesë, u dhanë avantazhin e sigurtë vikingëve. Portugalia u kujtua shumë vonë për të reaguar dhe goli i Kristiano Ronaldos shërben vetëm për statistikë. Kështu, në grupin H, Danimarka shkon në Europian, ndërsa Portugalia në play-off.

Spanja nuk toleron as Skocinë, dhe i jep kështu vendin e dytë Çekisë, që nga ana e saj fitoi ndaj Lituanisë. Spanjollët janë skuadra e dytë që e mbyllin këtë fushatë kualifikuese me pikë të plota, 24.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›